Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Lamir Thaçi, ka thënë se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbardhur rastin se prej nga ka ardhur deri te helmimi i qytetarëve në Malishevë.
“Mostrat janë marrë, ato që kërkohen janë marrë në numër të mjaftueshëm, janë marrë 26 strisho, janë marrë edhe strisho nga personeli që ka punuar brenda lokalit, është dhënë komplet historiku i zhvillimit të punës, mjetet, pajisjet teknike që janë përdorur për gatim, është bërë vlerësimi i përgjithshëm i komplet objektit në aspektin higjienik sanitar që ka qenë jo i mirë, dhe po ashtu është ndihmuar mekanizimi tjetër shtetëror i kontrollit që është prokuroria”, është shprehur Thaçi në Edicionin Special, përcjell Klankosova.tv.
“Gjithçka që është kërkuar ekipi inspektues ka asistuar në marrjen e të gjitha dëshmive dhe argumenteve përveç tyre zgjerimi i hulumtimit vazhdon edhe te origjina e produkteve, furnizimet nga i ka marrë ky lokal dhe do të zgjerohet hulumtimi nuk do të qëndrojmë vetëm te lokali, por sigurisht do të kryejmë kontrolle edhe tek furnitorët që ka bërë lokali, që ne pastaj ta dijmë origjinë e saktë se çfarë ka çuar në këtë helmim të qytetareve”, vazhdoi Thaçi.
Për sa i përket inspektimeve që kanë ndodhur sot në disa lokale të Prizrenit dhe Malishevës, Thaçi tha se inspektimet do të vazhdojnë dhe nuk do të ketë tolerancë ndaj asnjë shkeljeje që bëjnë lokalet.
“Aksionet do të vazhdojnë, do të jemi të pakompromis ashtu qysh është dhënë urdhri nga ministri dhe drejtori, ekipet inspektuese do të kenë tolerancë zero ndaj secilës shkelje që hasim gjatë kontrolleve në terren, sepse shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha dhe askush nuk ka të drejtë ta cenojë në çfarë do forme”, u deklarua Thaçi.


