Lajme

“Mazhoranca me bojkotin e tyre po e shemb gurthemelin e shtetit demokratik”

10/13/2023 11:44
nga:Gazeta Blic

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka deklaruar se janë të shqetësuar me bojkotimin e mazhorancës ndaj kërkesave të opozitës.

Lekaj thotë se bojkoti i shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës po shemb gur themelin e shtetit demokratik.

“Është shqetësimi i ynë si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës dhe qëndrimi i mazharancës për të bojkotuar të gjithë kërkesat e opozitës e në veçanti të subjektit tonë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në praktikat parlamentare nuk ka ndodhur që mazhoranca të bojkotojë seancat parlamentare sidomos edhe komisionet”, u shpreh Lekaj.

“Po na marrin të drejtën e vetme demokratike, që me pyetje parlamentare dhe formimin e komisionit hetimor në komisionet e përhershme të Parlamentit të Kosovës, që të shfaqim kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

“Mazhoranca duhet të jetë konstruktive, dhe jo të na bojkotojë, me bojkotin e tyre po e shemb gurthemelin e shtetit demokratik. Kërkojmë një zgjidhje”.