Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka paralajmëruar se mund të ketë skenarë të tjerë destabilizues javëve në vijim në veri të vendit.
Kurti deklaroi sot në mbledhjen e Qeverisë se qëllimi është të fajësohet Policia e Kosovës dhe se për këtë ata “nuk do të zgjedhin mjet”.
“Institucionet tona të sigurisë dhe të inteligjencës së fundi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim tavan, nuk do të zgjedhin mjet. Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia vetëm sa i ka inkurajuar”, tha Kurti.Kryeministri tha se pasi provuan që ngjarjeve të 24 shtatorit t’i jepnin “ngjyrim fetar”, tani formacionet kriminale “të sponsorizuar nga fqinji ynë verior ka shumë që ngjarë që dallimet etnike synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike” deklaroi kryeministri Kurti raporton “Gazeta Blic”
Në lidhje me këtë deklaratë të kryeministrit Kurti, ka folur për “Gazeta Blic” gazetari serb që jeton në Kosovë, Branislav Krstic.
Ai tha se ekziston një përshtypje që Qeveria e Prishtinës po instiston në përshkallëzimin e tensioneve me arrestime të përditshme në veri të vendit.
“Përshtypja është se qeveria në Prishtinë po vazhdon agjendën e saj dhe po insiston në përshkallëzimin e tensioneve me arrestime dhe arrestime të përditshme në veri të vendit. Pas tragjedisë në Banjskë, serbët në veri e kanë të qartë se Beogradi zyrtar ka hequr dorë prej tyre”
Ai tutje shtoi se regjimi policor në veri, shkelja e vazhdueshme e të drejtave kolektive të serbëve me represion sporadik policor si dhe tesnionet e vazhdueshme mund të qojnë në rezistencë të organizuar paqësore të serbëve.
“Regjimi policor në veri dhe shkelja e vazhdueshme e të drejtave kolektive të serbëve me represionin sporadik policor, kohëzgjatjen shumë të gjatë të presionit dhe tensionet e shtuara, mund të çojnë në rezistencë të organizuar paqësore të serbëve” tha Krstic për “Gazeta Blic”.
Me 24 shtator u organizua një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit ku për pasojë humbi jetën pjestari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Vrasja e Bunjakut u shoqërua me një përplasje të armatosur mes terroristëve dhe Policisë së Kosovës ku u vranë tre prej tyre.
/Gazeta Blic/
Kurti paralajmëron “skenarë tjerë destabilizues” në veri: Serbët të përmbahen ditëve në vijim


