Lajme

Maqedonci: Në takimin e Grupit për Mbrojtjen e Ukrainës do të diskutohet edhe çështja e sigurisë në Kosovë

10/11/2023 19:22
nga:G B

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me gjenerallejtënantin Bekim Jashari, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë pjesë e një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili po zhvillohet në selinë e NATO-s në Bruksel.

Maqedonci ka bërë të ditur se në takimin e radhës të enjten, çështja e sigurisë në Kosovë do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.

“Nesër do të vazhdoj takimi i radhës që temë do të ketë edhe çështjen e sigurisë në Kosovë dhe kjo ka rëndësi të veçantë se e dëshmon rëndësinë që i kanë kushtuar vendet e NATO-s  incidenteve apo agresionit të fundit të grupeve të armatosura të mbështetura nga Serbia, që zhvilluan në veri të Kosovës”, ka deklaruar ai.

“Kjo ka një rëndësi të veçantë, pasi dëshmon rëndësinë që vendet e NATO-s i kanë kushtuar ngjarjeve të fundit në Kosovë, duke përfshirë incidentet dhe agresionin e grupeve të armatosura të mbështetura nga Serbia në veri të Kosovës”, ka deklaruar tutje Maqedonci  për emisonin FIVE në lidhje direkte nga Brukseli.

Ministri Maqedonci, së bashku me komandantin Jashari, kanë prezantuar shtetin e Kosovës në mesin e 50 vendeve pjesëmarrëse.

Në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, është diskutuar për mbështetjen ndaj luftës së Ukrainës, dhe një moment i rëndësishëm, sipas ministrit Maqedonci, ishte edhe pjesëmarrja e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ka marrë pjesë për herë të parë në një takim të këtij lloji.

Gjithashtu, ministri Maqedonci ka treguar për shqetësimin e të gjithë pjesëmarrësve në takim në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë në Kosovë.

Sulmi, sipas tij, është vlerësuar si një sulm i paprecedentë dhe i karakterit terrorist dhe ka bërë që të gjithë të reafirmojnë nevojën për koordinim dhe masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në Kosovë.

“Me të gjitha përfaqësuesit e vendeve me të cilët kemi diskutuar, duke përfshirë ministra të Mbrojtjes edhe shefa të shtabave të ushtrive, gjithë kanë ngritur shqetësimin për sulmin dhe të gjithë e trajtojnë si sulm të paprecent dhe të karakterit terrorist dhe sulm të organizua”, ka deklaruar ai.

Takimet e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, ku ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe ministrat e Mbrojtjes të vendeve të tjera që mbështesin grupin do të diskutojnë dhe koordinojnë veprimet e tyre për të adresuar sfidat e sigurisë dhe për të ndihmuar Ukrainën.