Lajme

Hoxha: Kurti i rrëzon lehtë akuzat se është “fashist” apo “tradhtar”

10/10/2023 21:57
nga:G B

Analisti politik, Ylli Hoxha, ka argumentuar se opozita duhet të bëjë veprime strategjike që i vendosin në avantazh në luftën politike, në vend që të luftojë diku ku qeveria është më e fortë.

Në emisionin “Debat Plus”, ku po diskutohet në lidhje me “shuarjen” e opozitës në Kuvendin e Kosovës ka potencuar se një nga sfidat më të mëdha është paaftësia e opozitës për të vepruar në një mënyrë strategjike që të jetë e përshtatshme me pozitën e qeverisë.

“Problemi i madh i raportit të opozitës me sfidën që e ka përpara mendoj që është paaftësia për me vepru në atë mënyrë që është më së pakti e përshtatshme me pozitën. Pra, strategjikisht në një luftë strategjie, kundërshtartit duhet me ia lujt potezin jo ku je ti më i forti, por potezin ku kundërshtari e ka më të pa përshtatshme si potezë dhe opozita jonë nuk arrin me bë këtë në disa aspekte”, ka thënë Ylli Hoxha.

Tutje ai ka theksuar se “duke adresuar kritikën në formën e saj ekstreme, një pjesë e konsiderueshme e opozitës shndërrohet në aleatin kryesor të Albin Kurtit sepse zoti Kurti në këtë lloj debati ku ai është fashist, tradhëtar, shpiun e ka shumë të lehtë me e rrëzu këtë argument”.

Ndër të tjera ai ka thënë se “ky shtet është demokratik dhe ka me mbetë demokratik. Albin Kurti nëse ska pasur opozitë parlamentare, ka arrit brenda partisë së tij me shfaq opozitë”.

“Ajo çka duhet të ndodhë në mënyr që të ketë një balancim politik në Kosovë sepse sot për sot prap ka me pas dominim të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo ka të bëjë me kontekstin e zhvillimit të zgjedhjeve sepse konteksti i sotëm është ai i ballafaqimit me Serbinë në veri dhe ai e favorizon Albin Kurtin dhe gjëja e dytë që e favorizon Albin Kurtin është polarizimi dhe polarizimi mbi termat e tij”, vijon ai.