Lajme

Çfarë shkoi keq? Pikëpyetje mbi aftësitë e shërbimeve të zbulimit të Izraelit pas sulmit të Hamasit

10/10/2023 00:20
nga:Gazeta Blic

Palestinezët në Gaza, nuk janë asnjëherë shumë larg syve të Izraelit.

Dronë mbikqyrës ngrihen vazhdimisht në qiell. Kufiri, i sigurisë së lartë, ështe i mbushur me kamera dhe roje sigurie.

Agjencitë e shërbimeve të zbulimit mbështeten tek burimet dhe aftësitë teknologjike në gjetjen e një sërë informacionesh.

Por duket se Izraeli “i kishte sytë mbyllur” gjatë sulmit të befasishëm të grupit militant Hamas, që rrëzoi barrierat kufitare të Izraelit dhe dërgoi atje qindra militantë për të kryer sulmet që lanë të vrarë qindra njerëz dhe e çuan rajonin drejt konfliktit.

Për dekada me radhë, për shkak të arritjeve të forta, shërbimet inteligjente izraelite kanë fituar lavdinë e të qenit të pamposhtur.

Izraeli ka parandaluar komplote të thurura në Bregun Perëndimor, pretendohet se ka kapur militantë të Hamasit në Dubai dhe është akuzuar për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë, pikërisht në zemër të Iranit. Edhe kur përpjekjet e tyre kanë qenë të pasuksesshme, agjenci si Mossad, Shin Bet dhe shërbimet zbuluese ushtarake kanë arritur të ruajnë këtë “lavdi mistike”.

Por sulmi i fundjavës, gjatë një festë të madhe hebraike, që e zuri në befasi Izraelin, i vë në dyshim këto aftësi dhe ngre pikëpyetje rreth gatishmërisë së vendit përballë një armiku më të dobët, por të vendosur. Mbi 48 orë më vonë, militantët e Hamasit vazhduan të luftonin forcat izraelite brenda territorit izraelit dhe dhjetëra izraelitë ishin zënë robër nga Hamasi në Gaza.

“Është një dështim i madh,” thotë Yaakov Amidror, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit Benjamin Netanyahu. “Ky operacion vërtet dëshmon se aftësitë e shërbimeve zbuluese në Gaza nuk ishin të mira”.

Zoti Amidror nuk pranoi të ofronte një shpjegim mbi dështimin, tha se mësimet duhet të nxirren pasi situata të qetësohet.

Kundër Admiral Daniel Hagari, zëdhënësi kryesor i ushtrisë, pranoi se ushtria duhet t’i japë popullit një shpjegim. Por ai tha se koha për këtë nuk është tani. “Së pari, luftojmë, pastaj hetojmë”, tha ai.

Disa thonë se është shumë herët që përgjegjësia të bjerë vetëm mbi shërbimet e zbulimit. Ata vënë në dukje se për shkak të një vale dhune në Bregun Perëndimor, disa burime ushtarake u zhvendosën atje, ndërsa përmendin edhe kaosin politik që shoqëron Izraelin, lidhur me hapat e qeverisë së ekstremit të djathtë të kryeministrit Netanyahu për ndryshime në sistemin e drejtësisë.

Plani i diskutueshëm ka kërcënuar forcën bashkuese të ushtrisë së fuqishme të vendit.

Por, mungesa e të dhënave mbi planin e Hamasit pritet të paraqesë vetëm një nga shkaqet që çuan në sulmin më vdekjeprurës ndaj Izraelit, për dekada të tëra.

Izraeli tërhoqi trupa dhe banorë nga vendstrehimet në Gaza në 2005. Por edhe pasi Hamasi pushtoi Gazën në vitin 2007, Izraeli dukej se ruante avantazhin e tij, duke përdorur burimet njerëzore dhe ato teknologjike.