Lajme

Sqaron eksperti i komunikacionit: Është anti-ligjore që polici e merr patentë-shoferin, duhet me e marrë gjyqëtari!

10/04/2023 19:52
nga:Y I

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka thënë se në krahasim me vitet e tjera në muajin shtator, këtë vit kemi numër shumë më të madh askidentesh.

Dedaj tha se fatkeqësisht në Kosovë nuk hulumtohen aksidentet me fatalitet.

Ai përmendi faktorët të cilët ndikojnë tek aksidentet me vdekje.

“Në krahasim me vitet e tjera në muajin shtator, këtë vit kemi një numër jashtëzakonisht më të madh aksidentesh. Kjo na tregon se shteti nuk ka kriju institucione përkatëse për me mujt në mënyrë edukative me vepru edhe tek drejtuesit e automjeteve por edhe në përgjithësi tek njerëzit. Kur flas për institucione shtetërore unë ju thashë se ne nuk kemi strategji 2020-2030 pastaj nuk e kemi edhe poligonin e sigurisë i cili na bën pragun edhe personave të tjerë të cilët pajisen në mënyrë jo të rregullt me patentë-shofer që pas 3 viteve kishin shkuar tek poligoni i sigurisë, që ne e quajmë prag, për ata drejtues automjetetsh që nuk e drejtojnë mjetin në mënyrë të sigurtë. Për fatin tonë të keq këto mungojnë tek na dhe pikërisht është ajo pse është duke na ndodhur dhe pse ne kemi këto fatkeqësi”

“Fatkeqësitë e aksidenteve me fatalitet tek ne nuk hulumtohen për çfarë kanë ndodhë, dmth nuk hulumtohen elementët e faktorëve në mënyrë që pastaj ata faktorë me i’u dhan masat preventive, pra nuk ka institut që bën hulumtimin dhe agjension që merret me masat preventive. Faktorët të cilët ndikojnë janë faktori njeri me 85 % të rasteve, faktori rrugë me 10% të rasteve dhe faktori automjet 3-5% të rasteve, kemi faktorin incident dhe komunikacionin në rugë me nga 1% të rasteve. Kurrë Kosova këto nuk i merr seriozisht dhe duke patur parasysh këto faktorë, fatalitetet do të jenë edhe sivjet edhe vitin tjetër, derisa ne t’i krijojmë institucionet përkatëse edhe të mësohemi me i identifiku problemet edhe me marrë masat preventive” deklaroi Dedaj për “Gazeta Blic”.

Dedaj tutje shpjegoi se është anti-ligjore që Polici e merr patentë-shoferin.

Ai tha se lejen e drejtimit mundet me e marrë gjyqëtari.

“Për fatin tonë të keq e kemi që patentë-shoferin e merr polici në dorë për 3-6 dhe 9 muaj edhe 1 vit. Kjo i’u ka dhënë autorizim Policisë, nuk e di se në çfarë forme ligjore ose jo, kjo është antiligjore dhe antikushtetuese. Polici nuk është personi i cili ta merr patentë-shoferin, polici është ai personi i cili i zbaton ligjet. Nëse ligji ia ka dhënë këtë të drejtë, ai ligj është anti-kushtetues. Patentë-shoferin mundet me e marrë gjyqëtari në kundërvajtje në të cilën shqyrtohen problematikat dhe merret” deklaroi Dedaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.