Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duhet të përgjigjet në Serbi për poshtërimin që i është bërë në Banjskë të Zveçanit.
Në emisionin Rubikon ai ka shtuar se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, e ka marrë përsipër fajin në mënyrë që mos të shfytyrohet Vuçiqi.
“Negociatat aktuale nuk janë të favorshme për Vuçiqin sado që ne i kemi kritikuar të gjitha qeveritë e Kosovës për Asociacionin dhe vazhdojmë t’i kritikojmë me të drejtë për të gjitha me radhë deri te e fundit”, ka thënë Paçarizi.
Sipas tij, një marrëveshje përfundimtare me Kosovën do të ia merrte Vuçiqit kartat e përzierjes në Kosovë dhe do të ia merrte kartat e qëndrimit në pushtet sepse ai është duke qëndruar në pushtet falë situatës në Kosovë.
“Tash ai është përpara një situatë në të cilën duhet të përgjigjet përpara opinionit në Serbi për poshtërimin që i është bërë në Kosovë, realisht duhet të përgjigjet për dështimin e planit fillestar dhe duhet t’i qërojë hesapet përfundimisht me Radojiçiqin dhe Vulinin”, ka shtuar ai.
“Nëse e shikojmë më kujdes se si janë zhvilluar ngjarjet lidhur me Radojiçiqin, ka pasur informata që ai mund të mos u mbijetojë plagëve sepse thuhej që ishte i plagosur, por Radojiçiqi u tregua pak më finok dhe e shpëtoi vetveten realisht duke u vetësakrifikuar dhe duke u vetëfajësuar për gjithçka në mënyrë që Vuçiqi të mos shfytyrohet përpara bashkësisë ndërkombëtare”, ka shtuar analisti Paçarizi.


