Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku humbi jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.
Ai theksoi se diçka të tillë e ka propozuar edhe më herët në samitin e NATO-s.
Në lidhje me këtë deklaratë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, reaguan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja Vjosa Osmani.
Ata theksuan në kundërpërgjigjen e tyre ndaj Ramës se Policia e Kosovës është ajo që përgjigjet për sigurinë në veri dhe se mandati i KFOR është vetëm si reagues i tretë në mbështetje të Policisë.
Në lidhje me këtë deklaratë të Edi Ramës ka folur për “Gazeta Blic”, njohësi i zhvillimeve politike nga Shqipëria, Enton Abilekaj.
Abilekaj tha se për të shpjeguar një deklaratë të tillë duhet të ‘zbardhet’ më parë se çfarë ka ndodhur me 20 shtator në New York.
Ai ngre disa pikpyetje dhe thotë se këtu ka një sërë enigmash që të qojnë në përfundimin se kryeministri i Shqipërisë nuk po punon për Kosovën por kundër saj.
“Për të shpjeguar deklaratat e Kryeministrit Rama, duhet të zbardhet me parë çfarë ka ndodhur në 20 shtator në New York? A është takuar Kryeministri i Shqipërisë me përfaqësues të lartë te NATO- s, në prezencë të Kryeministrit në ikje të Malit të Zi? A kanë kërkuar të dy që KFOR të marrë në kontroll Veriun e Kosovës në datën 20, pra 4 ditë përpara se sulmi i serbëve të ndodhte? Nëse po, me çfarë justifikimi me kë ishte konsultuar në Kosovë? Pse nuk kishte kërkuar aprovim në Kuvendin e Shqipërisë për këtë qëndrim strategjik Kombëtar? Dhe ne fund, a ishte rastësi konvergimi me Presidentin e Serbisë në këte pikë? Vetë Kryeministri i Shqipërisë e ka pranuar indirekt se e ka bërë kërkesën kur ka takuar zyrtarëy e NATO- s, por nuk ka thënë kur dhe ku? Nuk ka shpjeguar pse nuk ka njoftuar për këtë gjë në kohën kur ka ndodhur? Të gjitha këto enigma të çojnë në përfundimin se Kryeministri i Shqipërisë nuk po punon për Kosovën, por kundër saj” tha Abilekaj për “Gazeta Blic”.
Abilekaj komentoi edhe konferencën për shtyp që kryeministri Rama mbajti në ditën kur Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën që dënon sulmin terrorit në veri.
Ai tha se shteti shqiptar për herë të parë doli publikisht kundër Kosovës.
“Këtë e konfirmoi edhe Konferenca e shtypit që mbajti pikërisht në ditën kur Kuvendi i Kosovës miratoi reozolutën unanime për ngjarjet e 24 shtatorit. Vetëm pak minuta pasi rezoluta u votua, vetëm pak minuta pasi të gjithë shqiptarët në Kosovë, pozita dhe opozita, u bashkuan, kohezionin kombëtar nuk e prishi ndonjë bashibozuk ordiner që luan për para dhe për vota, por direkt Kryeministri i Shqipërisë, direkt ai që e ka për detyrë të unifikojë Kombin. Kështu shteti shqiptar, për herë të parë në histori, që kur është themeluar, doli publikisht kundër Kosovës. Komentet e tjera për Edi Ramën janë të tepërta” deklaroi Abilekaj në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”

Enton Abilekaj, Njohës i çështjeve politike nga Shqipëria
/Gazeta Blic/
Edi Rama: KFOR të marrë në kontroll Veriun e Kosovës, vonesa mund të sjellë viktima!
Edi Rama insiston që NATO-ja ta rimarrë kontrollin e veriut të Kosovës


