Lajme

Kurti: Për keqardhje që Bosnje e Hercegovina nuk e ka miratuar marrëveshjen për letërnjoftime me Kosovën

10/03/2023 10:29
nga:N K

Kryeministri i vendit, Albin Kurti “ka kritikuar” Bosnjen e Hercegovinën për mosmiratimin e lëvizjes vetëm me letërnjoftime me Kosovën.

Kurti thotë se kjo është për keqardhje, teksa theksoi se kjo marrëveshje është me rëndësi për qytetarët e të dyja vendeve.

Sipas tij, pjesa më e vështirë e një marrëveshjeje nuk është dakordimi apo nënshkrimi, por implementimi.

“13 ditë deri në samit do duhet të vëmë re që jo të gjitha vendet në rajon, i kanë ratifikuar këto marrëveshje, dhe është për keqardhje që Bosnja e Hercegovina është përcaktuar që të miratojë vetëm dy nga tre, që nuk përfshin marrëveshjen kyçe për lirinë e lëvizjes. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime është me rëndësi për qytetarët e të dy vendeve, ngase më në fund do të largojë regjimin e vizave në mes vendeve tona. Nga 1 janari 2024, Kosova do të lëvizë lirshëm në vendet e BE-së, por është ende e pasigurt nëse qytetarët e Bosnjës dhe Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e njëri tjetrit. Pjesa më e vështirë është që të arrihet dakordimi për marrëveshje dhe nënshkrimi i marrëveshjes, dhe jo implementimi”, deklaroi kreu i Ekzekutivit në tryezën që po mbahet rreth procesit të Berlinit, të organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS).

Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bosnje e Hercegovina nuk e ka ratifikuar ende këtë marrvëeshje dhe pavarësisht nënshkrimit të dhënë, Kuvendi i entitetit Republika Serbe, njëkohësisht anëtarja e Presidencës e ka vënë veton kundër.

Samiti i radhës i Berlinit do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.