Lajme

Dervishaj: Në Burrel jemi stërvitur nga Adem Shehu, epror i Ushtrisë Shqiptare

10/02/2023 14:56
nga:N M

Dëshmitari Bedri Dervishaj tha se në Burrel ishin stërvitur nga Adem Shehu, i cili ishte epror i ushtrisë shqiptare.

Këtë deklarim, Dervishaj e bë sesionin e pasdites në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të këtij të fundit, avokatit Mohamed Heidi Aouini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dervishaj tha se kishin dëgjuar për një incident në Burrel, ku ishte thënë se ishte vrarë një ushtar.

“Po, kemi dëgju për incidentin. Ne jemi kanë në stërvitje kur u tha se u vra një ushtar”, tha Dervishaj.

Sipas tij, dëshmitari i vrarë ishte Halil Gashi, i cili ishte mik i shtëpisë dhe se pas këtij incidenti, brenda dy orëve me urdhër të eprorit ushtarak Adem Shehu, janë larguar për Kukës, përfshirë edhe vetë eprorin Shehu.

Me tej, dëshmitari ka treguar rikthimin në Kukës, ku pas qëndrimit 7 ditor aty, grupi prej 20 personave për urdhrin siç tha ai të Komandant Ruzhdisë udhëtuan për në Kalimash, ku u stërvitën për më shumë se dy javë dhe më pas kanë udhëtuar në vijë të frontit.

Sipas dëshmitarit, në vijë të frontit ka qëndruar për më shumë se 1 muaj apo siç tha ai deri në ditën e fundit të luftës.

I pyetur se gjatë qëndrimit të tij në front a ka pasur ndonjë ushtar të vrarë apo të plagosur nga grupi i tij, dëshmitari Dervishaj tha se një ushtar i grupit (Halil Saramati) është plagosur, ndërsa të vdekur nuk ka pasur.

Dëshmitari Dervishaj po ashtu ka treguar për aktivitetet që grupi ku ka vepruar ai si ushtar i ka zhvilluar nga momenti i përfundimit të luftës e deri në momentin e themelimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Ai ka thënë se pas përfundimit të luftës janë vendosur në fshatin Goruzhup ku nga aty pas një kohe janë vendosur në fshatin Nashec e më pas në Zym të Opojës.

Sipas tij, gjatë qëndrimit në fshatin Nashec ai e ka kuptuar se grupi i tij quhet “Brigada 128”.

I pyetur se gjatë terë rrugëtimit të tij të lartcekur a ka parë apo dëgjuar për ndonjë person me emrin Pjetër Shala, dëshmitari edhe një herë u përgjigj se nuk ka parë apo dëgjuar për ndonjë person me këtë emër.

Sesioni i dytë i pasdites në seancën gjyqësore kundër Pjetër Shalës, do të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarit Bedri Dervishaj nga ana e Prokurorisë.

Ish-koloneli amerikan analizon armatimin e grupit të Millan Radoiçiqit