Lajme

A pritet një rikthim i Thaqit dhe Veselit në politikë?- Kështu përgjigjet Shkëlzen Maliqi!

09/27/2023 09:29
nga:Y I

Gazetari dhe publicisti, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka thënë se politika e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe e përkrahësve të saj është pak si delirante.

Maliqi tha se një pjesë e përkrahësve të këtij subjekti politik mendojnë se pushteti i ‘vjetër’ ka qenë dështim dhe korrupsion total.

“Politika e Lëvizjes Vetëvendosjes, e përkrahësve dhe e fanatikëve është pak si delirante, edhe një pjesë e tyre që vërtet mendojnë që pushteti i ‘vjetër’, PDK-ja, LDK-ja, kanë qenë totalisht dështim ose vetëm korrupsion. Këto duhet me i marr pak më relative sidomos kur e zgjasin kritikën e tyre në mbi 20 vjet. Prej vitit 2008 kanë qenë Qeveri të ndryshme të cilat kanë bërë edhe punë të mira edhe të këqija, kjo është normale, nuk mundet me u gjujt në total. Nuk duhet të ketë eufori për këtë që ndodhi në veri. duhet me qenë ‘përtokë’ me lëviz përpara”

Maliqi pati kritika të forta edhe për opozitën

Ai tha se opozita është shumë e dobët dhe nuk është e strukturuar siç duhet.

“Qeverisja e Vetëvendosjes ka premtu shumë e nuk po mundet as me i realizu, s’po ka kapacitete dhe është shumë improvizatore .Opozita është shumë e dobët, nuk është e strukturuar siç duhet. LDK-ja po përpiqet diçka me u ringjall ndërsa PDK-ja prej që ka mbet pa udhëheqësit historik, përpjekja e saj me u urbanizu me u zgjeru nuk ka përfundu dhe e kanë një lloj fërkimi mes atyre që kanë luftu dhe këtyre që i’u janë bashkangjit më vonë e ata i mbajnë do poste të rëndësishme sepse çdo parti duhet të transformohet dhe të punojë në kushtet e paqes. Për këtë pak po qalon por edhe ata janë në proces të kërkimit të një identiteti të mirë dhe presin që edhe Gjykata Speciale të përfundojë sa më shpejt dhe të dështojë kjo akuza kryesore. Të shohim pastaj se çfarë do të ndodhë nëse kthehen në perspektivë Thaqi, Veseli” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”

I pyetur se a pret një rikthim të Thaqit dhe Veselit në politikë, pas mbarimit të procesit gjyqësor në Hagë, Maliqi pati këtë përgjigje.

“Varet prej tyre, prej kondicionit, çfarë kanë mendu se kanë reflkektu shumë gjëra. Nëse e fitojnë gjyqin që unë besoj do ta fitojnë e kanë të drejtën si Haradinaj dhe Limaj me vazhdu jetën politike. Kosovës i duhet mos me u rreshtu politikisht me ideologji dhe platforma delirante” tha Maliqi në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.