Lajme

Kurti priti një delegacion të përfaqësuesve politikë të boshnjakëve dhe të shqiptarëve në Serbi

09/21/2023 17:48
nga:G C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ​së bashku me Këshilltaren Politike, Ardita Sinani pritën në takim Kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Shanxhak (SDA), Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihovic, Selma Kucevic, Ado Kameniscanin, dhe Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Në takim u diskutua për brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare e po ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi, dhe për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë gjendje.

“Përfaqësuesit e Boshnjakëve në Serbi thanë se as ata nuk janë të kënaqur me trajtimin që i bëhet atyre. Parimi i reciprocitetit dhe i simetrisë së të drejtave të pakicave kombëtare në Ballkan Perëndimor, është formula e duhur për arritjen e një paqe të qëndrueshme e afatgjate në rajon, u tha në takim”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti i njoftoi ata për takimet bilaterale dhe trilaterale që u zhvilluan me 14 shtator në Bruksel në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tema tjera të diskutimit ishin edhe mandatet e garantuara, përfaqësimi i garantuar institucional, pasivizimi i adresave të vendbanimeve, shkelja e të drejtave të pakicave dhe vështirësitë në përdorimin e gjuhës dhe simboleve.​