Lajme

Tahiri flet për mocionin për rrëzimin e Qeverisë: Javët në vijim vendimtare, opozita e do shkarkimin e saj

09/17/2023 12:37
nga:G B

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se do ta mbështesë mocionin e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë.

Ai për Gazeta Blic ka thënë se ky mocion duhet të mbështetet edhe nga LDK e PDK.

Këto të fundit janë shprehur se nuk janë numrat për ta rrëzuar Qeverinë.

Lidhur me mocionin dhe përkrahjen nga partitë tjera opozitare, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë për Gazeta Blic se në takim me shefat e GP të partive opozitare, ka dakordim se Kuvendi dhe Qeveria po e dëmton vendin dhe se duhet të shkarkohet ajo.

“Ka një dakordim të përgjithshëm në Kuvend se kjo qeveri është duke e dëmtuar dhe duke e kthyer Kosovën mbrapa. Në takimet me shefat e grupeve parlamentare të opozitës ka dakordim se kjo qeveri duhet të shkarkohet”, thotë Tahiri.

Ai thotë se ende nuk dihet sjellja e tyre me votë dhe se pakënaqësi ka edhe te deputetët e VV-së, ndërsa që javët në vijim janë vendimtare.

“Ajo që ende nuk po dihet është sjellje me votë e deputetëve. Po ashtu, dihet se pakënaqësia është e dukshme tek shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Javët në vijim janë vendimtare”, deklaron shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri./Gazeta Blic/