Derbi i “Madonnina” ndez futbollin italian, e gjithë vëmendja është në Milano, aty ku të shtunën përplasen dy ekipet kryesuese, dy ekipet më në formë, Inter-Milan.
Ky derbi tradicionalisht ka qenë i ‘zjarrtë’, me të dy skuadrat që kanë dhuruar historikisht emocione fantastike. Emocione të tilla pritet të ketë edhe nesër, aq më shumë për faktin se të dy skuadrat janë kryesuese të tabelës në Serie A.
Interi i dominoi derbit sezonin e kaluar, duke fituar katër radhazi mes Serie A, Superkupës së Italisë dhe gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, të gjitha pa pësuar gol.
Ish futbollisti i skuadrës së Milanit, Jaap Stam e ka komentuar këtë sfidë në një prononcim ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’, duke deklaruar se ‘Rossonerët’ kanë bërë disa transferime shumë të mira, por gjithashtu potencoi se edhe Interi ka ndërtuar skuadër të mirë.
“Të dyja skuadrat po forcohen dhe po ndërtojnë strukturë të mirë. Mendoj se Milani bëri disa transferime shumë të mira me sulmin në front dhe në mesfushë, Reijnders është njëri prej tyre dhe është mirë të shohësh se ai po bën mirë. Nuk mund të besoja se një ekip si Ajax nuk e kishte marrë atë më parë. Pulisic është gjithashtu shumë interesant“, tha fillimisht Stam për ‘GazetaBlic Sport’.
Tutje, Stam parashikoi edhe rezultatin e ndeshjes, duke qenë optimist në fitoren e Milanit me rezultat 2 me 1, pavarësisht se tha që forca e Interit në vitin e kaluar duhet respektuar.
“Unë shpresoj se Milani do të fitojë, por ne kemi parë forcën e Interit edhe sezonin e kaluar kundër Milanit, kështu që nuk do të jetë e lehtë, por këto ndeshje sjellin diçka ndryshe që ju duhet të luani për tifozët. Mendoj se do të mbyllet me rezultat 2-1 për Milanin“, përfundoi Stam.

Stam ka luajtur për disa klube evropiane, duke përfshirë PSV Eindhoven, Manchester United, Lazio, Milan dhe Ajax përpara se të pensionohej në tetor 2007, por duhet cekur që skuadra e Milanit ka mbetur thellë në kujtimet e tij të bukura.
Menjëherë pas përfundimit të karrierës si futbollist aktiv, Stam ka vazhduar me profesionin e trajnerit, duke drejtuar disa skuadra deri më tash.
/GazetaBlic Sport/


