Sporti

Rrahja e dy basketbollistëve të Vëllaznimit, klubi paralajmëron masa

09/14/2023 14:19
nga:Mergim Rreci

Vëllaznimi nëpërmjet një njoftimi në Facebook, ka konfirmuar përleshjen e dy basketbollistëve të vet në prag të duelit me Golden Eagle Yllit në kuadër të çerekfinales të Superkupës së Kosovës.

Klubi nga Gjakova nuk ka zbuluar emrat e basketbollistëve, por ka thënë se masat tashmë janë marrë ndaj tyre konform rregullave.

Vëllaznimi ka dënuar ashpër rastin në fjalë dhe ka siguruar tifozët e tij se në ndeshjen kundër Yllit, që luhet sonte prej orës 20:00 në Suharekë, do të shkojë me fokus maksimal.

“KB Vëllaznimi njofton tifozët ‘Kuqezinjtë e Jakovës” dhe të gjithë adhuruesit e klubit se klubi i qytetit ka adresuar zhvillimet e fundit dhe konform rregullave të klubit ka marrë masa ndaj lojtarëve të përfshirë që kanë thyer kodin disiplinor dhe të sjelljes sportive”, ka shkruar ndër të tjera skuadra nga Gjakova.