Lajme

E thotë Haradinaj: Opozita e pavendosur për mocionin, do të ndryshojnë mendjen në të ardhmen

09/14/2023 13:06
nga:Genita C

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se ende nuk ka dakordim mes partive opozitare për mocionin e propozuar nga ai, për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Haradinaj i tha GazetësBlic se, dakordimi mes opozitës mund të ndodhë në të ardhmen sepse sipas tij, gjendja në Kosovë është duke u përkeqësuar nga vendimet e kryeministrit Kurti.

“Partitë opozitare kanë deklaruar veç e veç për rreziqet dhe dëmet që po vijnë nga Qeveria aktuale, nga kryeministri Kurti. Ne kemi dhënë një opsion, se si të dilet nga kjo gjendje, pra mocioni. Deri tash nuk kemi ndonjë dakordim mes partive opozitare, por ekziston mundësia që kjo të ndodhë sepse gjendja ëshë vetëm duke u përkeqësuar në vend”, thotë ai.

Haradinaj ka folur edhe për takimin e sotëm Kurti-Vuçiq, ku sipas tij dalja nga kjo gjendje ku Kosova është sot, mund të ndodhë vetëm me tri vendime të guximshme.

“Rrjedha e dialogut ka shkuar gabim që nga koha e tabelave, Kosova e ka vështirësuar pozicionin e vet. Sot ne kur të ulemi atje, ulemi si palë e dënuar. Në princip, një palë e dënuar do të duhej të jepte diçka nga vetja për të hequr sanksionet. Dalja nga kjo gjendje do të ishte me vendime të guximshme, pra tri vendime do ta zgjidhnin këtë problem”, tha Haradinaj.

“Dorëheqja e kryetarëve në veri, statuti i Asociacionit dhe një ftesë përkthim te institucionet qendrore të Listës Serbe, ne mund të themi që Lista Serbe janë të këqij, por janë ata të vetmit që janë zgjedhë.Procesi i dialogut nuk është duke u ngadalësuar, por përkeqësohet”, shtoi Haradinaj për GazetaBlic.

Pacolli për takimin Kurti-Vuçiq: Ta kuptojnë se vetëm me dialog zgjidhet problemi, opsioni i luftës nuk qëndron më