Lajme

Pacolli për takimin Kurti-Vuçiq: Ta kuptojnë se vetëm me dialog zgjidhet problemi, opsioni i luftës nuk qëndron më

09/14/2023 12:44
nga:Genita C

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli në një intervistë për GazetaBlic ka folur për takimin e sotëm mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Pacolli thotë se ky takim është dashtë të bëhet më herët dhe sipas tij, Kosova duhet të jetë gjithmonë e gatshme për takime të tilla.

Ai shtoi se ka ardhë koha që palët të kuptojnë se vetëm me dialog mund të zgjidhet problemi Kosovë-Serbi

“Unë besoj se takimi duhet të mbahet, ne nuk duhet t’i ikim asnjë takimi. Ky takim është dashtë të ndodhë edhe më herët, por nuk e di se si do të jetë epilogu. Shpresojë që ka ardhë koha që palët të kuptojnë, që vetëm me dialog dhe vetëm në mënyrë zgjidhet problemi me Serbinë”, tha Pacolli.

Pacolli thotë se opsioni i luftës nuk qëndron më, ku siç thotë ai, këtij rajoni i nevojitet një konferencë ndërkombëtare e paqes.

“Opsioni i luftës nuk qëndron më, këtij rajoni i nevojitet një konferencë ndërkombëtare e paqes ku secili do të vjen në mënyrë të sinqertë, do të shprehet dhe ta kuptojë që i vetmi opsion është paqja, që arrihet nga persona që kanë vullnet konstruktiv të zgjidhin problemin duke ditur se, kufijtë në të ardhmen kanë me e humb krejt atë kuptimin e tyre”, tha Pacolli.

“Nëse dikush mendon se duhet të ketë ndonjë marrdhënie të mirë, atëherë duhet të hapen kufijtë dhe të garantohet lëvizja e lirë e njerzëve”, shtoi ai për GazetaBlic.