Të enjten me 14 shtator në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiç do të mbajnë takimin e radhës pas disa muajsh.
Për pritjet nga ky takim, ish deputetja Shqipe Pantina, tani anëtare e LDK-së, thotë për Gazeta Blic se në takim do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhje për zgjedhjet në veri.
“Besoj se diskutimi do të jetë kryesisht në gjetjen e një zgjidhje për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për katër komunat e veriut”, thotë ajo.
Pantina tregon se çka do të kërkohet nga Kurti e çka nga Vuçiç.
“Nga Vuçiç do të kërkohet që serbët atje të marrin pjesë në zgjedhje dhe nga Kurti që sa më shpejtë të mundësojë organizimin e zgjedhjeve. Kjo çështje edhe mund të zgjidhet të enjten në Bruksel nëse të dyja palët kanë gatishmëri për gjetjen e zgjidhjes”, vlerëson ajo për Gazeta Blic.
Sipas saj, Kurti e Vuçiç janë të interesuar për zvarritjen e problemit, pasi të dy përfitojnë politikisht.
“Por, nga veprimet në teren kemi parë se edhe Kurti, e sidomos Vuçiçi janë të interesuar për zvarritjen e problemit se duke e mbajtur problemin në veri të hapur, ata që të dy përfitojnë politikisht dhe e zhvendosin vëmendjen prej problemeve reale me të cilat ballafaqohen qytetarët”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/


