Me vetullat herë-herë të rrudhosura – që ndër vite ia kanë lënë si gjurmë të përhershme tri vija në ballë – Kaltrina ka vendosur të flasë për pjesën më të errët të jetës së saj, pas 11 vjetësh heshtjeje.
Kjo histori nis kur ajo ishte 27 vjeçe. Atëkohë, Kaltrina – emër i vendosur nga redaksia e REL-it për ta ruajtur anonimitetin e saj – takoi një djalë me të cilin ishte njoftuar përmes rrjeteve sociale. Rreth dy vjet më vonë, ata u martuan.
“Viti i parë shkoi mirë. Ka dalë, por kthehej pas dy-tri orësh, katër-pesë orësh. Ka dalë e është kthyer. [Më thoshte] kam qëndruar te një shok. Më shkonte në mendje që po ndodhte diçka, por atëherë i besoja”, thotë Kaltrina, tani 40 vjeçe.
Ajo mban mend se kur filloi të nuhaste se bashkëshorti po e tradhtonte, ai filloi të bëhej më agresiv. Kaltrina thotë se ai sillej në këtë mënyrë edhe në prani të dy fëmijëve të tyre.
“Fëmijët nuk kanë sherr. Kur ka bërë zhurmë, më ka goditur… çika më rrinte mbi gjoks, nuk hante bukë. [Bashkëshorti] më ka gjuajtur me gotë, me pjatë… Gjithherë jam larguar, ia kam lëshuar rrugën”, kujton Kaltrina për Radion Evropa e Lirë.
Por, pas gati 11 vjetësh martesë, Kaltrina vendosi në fund të gushtit ta raportonte dhunën në familje në Policinë e Kosovës. Vendimin e mori pas një mesazhi që kishte marrë nga bashkëshorti i saj.
“Ia nisi duke sharë, më tha ‘kur të vij, do të të vras’. Edhe më s’guxova të pres. E mora rrugën të dal prej shtëpisë. Veç bëra ‘bismilah’ dhe thashë ‘Oh Allah, ndihmona të gjithëve’”, thotë Kaltrina.
Kur arriti në njërin stacion të Policisë së Kosovës në Prishtinë, ajo rrëfeu gjithçka.
“Unë kam thënë që e kam vështirë derisa të dal prej shtëpisë se, kur të dal, pastaj nuk e kthej kurrë më kokën. Atë minutë që e merr vesh familja ime [për dhunën], unë do të dal prej shtëpisë dhe mos prit që do të ta fal. S’mund të kthehem hatri i askujt”, thotë 40-vjeçarja.
Tani, ajo ka rreth dy javë që ndodhet në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.
Në këtë qendër strehohen viktimat e dhunës në familje. E, në bodrumin e kësaj ndërtese tani ndodhet shtëpia e re e përkohshme e Kaltrinës dhe fëmijëve të saj.
Në një dhomë të gjatë e të ngushtë ndodhen disa shtretër, ndërsa hapësira ngjitur saj shërben si kuzhinë. Kaltrina aty gatuan ushqimet për fëmijët e saj, kurse në një dhomë tjetër bën punëdore me një makinë qepjeje.


