Lajme

Quni me ‘kërkesë’ për Kurtin: Kjo është mënyra e vetme që Kosova ta bëj realitet triumfin në dialog

09/10/2023 10:40
nga:Genita C

Deputeti i LDK-së, Anton Quni thotë se kryeministri Kurti duhet të jetë gjithmonë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë.

Quni e tha këtë në një prononcim për GazetaBlic, ku u pyet për pritshmëritë e tij rreth takimi Kurti-Vuçiq më 14 shtator.

Sipas Qunit, vetëm koordinimi me aleatët është mënyra që vendi ynë me të drejtë ta bëj realitet triumfin në dialogun Kosovë-Serbi.

“Para çdo takimi, në çdo takim, e pas çdo takimi, uroj që kryeministri Kurti të jetë në koordinim me miqtë ndërkombëtarë, ngase kjo është mënyra e vetme që vendi ynë me të drejtë ta bëj realitet triumfin edhe në këtë proces”, tha Quni për GazetaBlic.

Kujtojmë se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 14 shtator do të zhvillojnë takimin e radhës në kuadër të dialogut, por agjenda e tij nuk dihet ende.

Takimi i fundit Kurti-Vuçiq kishte ndodhur më 9 maj, pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për komunat veriore, që ishin bojkotuar nga qytetarët serbë.

Ndërsa, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar para disa ditë në Bruksel me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Lajçak në një postim në platformën “X” ka shkruar se me Bislimin diskutuan për takimin e nivelit të lartë.

“Faleminderit zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për takimin sot në Bruksel. Ne patëm një diskutim të gjatë dhe thelbësor në përgatitjen e takimin e nivelit të lartë të javës së ardhshme.

Fokusi ynë kryesor ishte se si të avancojmë normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak.

/GazetaBlic/