Lajme

Berisha: Nuk ka patur asnjëherë një çarje përfundimtare me grupimin “Bardhi”

09/08/2023 09:39
nga:Sh R

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste të dhënë për ‘Çim Peka LIVE’, ka folur në lidhje me zhvillimet politike në vend.

I pyetur për takimin përbashkues të deputetëve të opozitës, zhvilluar në 5 shtator, Berisha është shprehur se, në PD ka pasur një çarje, por asnjëherë një çarje përfundimtare, sidomos me grupin e deputetëve që drejtohen nga Gazment Bardhi.

Çim Peka: Përshëndetje! Pas gati 2 vitesh, opozita më në fund ka arritur të bëjë një mbledhje për të unifikuar qëndrimet në Kuvendin e Shqipërisë, kundër qeverisë së Edi Ramës. Pas vendimit personal të Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar Sali Berishën, ish-themeluesi e kësaj partie, ish-kryeministër, ish-president, opozita kaloi në përplasje brenda grupit parlamentar edhe në bazë, deri në zgjedhjet e 6 marsit 2022 ku u pa se kush ishte shumica, po gjithsesi grupi parlamentar i opozitës ishte i ndarë deri të martën. Në një mbledhje të thirrur nga Gazment Bardhi, 43 deputetë së bashku me zotin Berisha ju përgjigjën dhe kanë vendosur që të unifikojnë qëndrimet kundër qeverisë së Edi Ramës. Për të folur mbi atë se çfarë do të ndodhë pas këtij takimi të parë dhe cili do të jetë fati i opoizitës parlamentare dhe jo vetëm, kam sonte të ftuar zotin Sali Berisha. Zoti Berisha, mirëmbrëma.

Sali Berisha: Mirëmbrëma!

Peka: Të falënderoj për kohën. Pas gati 2 vitesh një mbledhje e grupit parlamentar të PD-së jo për probleme të brendshme, po për tu përballur me Edi Ramën. 2 vite parlament dhe vetëm pas 2 vitesh, një mbledhje që ka si objekt betejën me regjimin e Edi Ramës.

Berisha: Mendoj se mbledhja ishte një zhvillim i rëndësishëm, ishte një hap i natyrshëm në drejtimin e duhur dhe i rëndësishëm në disa aspekte. Kjo mbledhje e thirrur nga Gazment Bardhi, kapërcej mbi problematikën, e cila ka ekzistuar, nuk mund të themi se nuk ka ekzistuar, por kapërcej mbi këtë problematikë për qëllime dhe objektiva shumë më të mëdha. Dua të shpreh këtu që të jemi korrekt, deputetët që drejtohen nga Gazment Bardhi kanë meritën e padiskutueshme të cilën unë e kam shprehur në mënyrë të përsëritur sepse ata pranuan primaret dhe kandidatët e primareve. Me këtë akt, ata dëshmuan mbështetjen tek liria, vota e lirë në gjirin e PD-së. E kam thënë që atëherë dhe e them përsëri, që ky akt programor në themele të PD-së, ishte një kontribut dhe investim i madh që ata bënë. Ka patur, padiskutim kundërshtira, probleme, por në tërësi ata deputetë që ju patë të mbledhur së bashku, plus disa të tjerë që nuk ishin dhe të tjerë që mund të bashkohen, janë deputetët e PD-së dhe ky ishte një zhvillim shumë pozitiv. Ju shtruat problemin se çfarë do të bëhet në të ardhmen? Takimet do të vazhdojnë në mënyrë që tu japin përgjigje të gjitha problemeve që presin të zgjidhjen, po me këtë vullnet të mirë, shkallë përgjegjësie dhe gatishmëri.