Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur në takim Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Tunç Angili, ku gjatë takimit kanë biseduar lidhur me gjendjen e sistemit shëndetësor publik në vendin tonë dhe sigurimin shëndetësor, raporton Gazeta Blic.
“Në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor jemi duke vënë në binarët e duhur aspektin legjislativ i cili është bazë për një shëndetësi moderne për brezat e ardhshëm. Gjithashtu, paralelisht jemi duke investuar në infrastrukturë si dhe duke bërë harmonizimin dhe strukturimin e kapaciteteve ekzistuese”, tha ministri Vitia.
Po ashtu temë diskutimi ishte edhe çështja e sigurimeve shëndetësore, ndërsa Ministri Vitia tha se Qeveria është e përkushtuar në përmbushjen e kësaj objektive dhe se ka ndërmarrë veprime konkrete.
Në funksion të këtij qëllimi, ai e njoftoi ambasadorin turk për fazën finale të studimit të fizibilitetit të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) i cili do të mundësojë orientimin strategjik dhe do të jetë përcaktues për zhvillimin e sistemit shëndetësor në të ardhmen.


