Lajme

Ibrahimi: Komunat më mirë se niveli qendror për investime kapitale – këto janë pengesat në shpenzime

09/07/2023 15:05
nga:G B

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat qëndrojnë më mirë se niveli qendror, sa i përket shpenzimeve në investimet kapitale.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, potencon se komunat i kanë rreth 34 për qind shpenzimet sa i përket investimeve kapitale.

“Komunat qëndrojnë më mirë se sa niveli qendror dhe në bazë të shënimeve që i kemi ne, rreth 34 për qind janë shpenzimet në të gjitha komunat sa i përket investimeve kapitale”, thotë ai.

Si pengesë në shpenzime, ai përmend disa arsye.

“Pengesë pse nuk po shpenzohen është puna e ligjit për prokurimin publik, që ka burokraci shumë të komplikuar, pastaj puna e shpronësimeve, puna e lëndëve nëpër gjykata, çështja e OSHP-së, pasi edhe OSHP-ja po i vonon lëndët deri te vendimi final, se kush do ta fitojë tenderin, pastaj ka pasur ngritje të çmimeve të produkteve sa i përket ndikimit në investime kapitale. Ka shumë kompani private që nuk janë të interesuara pasi çmimet kanë pësuar ndryshime. Por, komunat qëndrojnë më mirë se sa niveli qendror, sa i përket shpenzimeve për investime kapitale”, deklaron Ibrahimi për Gazeta Blic.

Ndërsa, sa i përket premtimeve, ai thotë se komunat po punojnë për përmbushjen e tyre.

“Kryetarët me stafin e tyre janë duke punuar se si t’i realizojnë premtimet, por në disa raste po varet edhe nga legjislacioni në fuqi”, thotë Sazan Ibrahimi, kryetar i AKK-së./Gazeta Blic/