Sigurimi i librave për nxënësit e shkollave fillore ka qenë temë tejet e përfolur këtë vit, derisa ministria mori vendim që blerjen e tyre për nxënësit deri në klasën e gjashtë, prindërit t’ua blejnë ato dhe ministria t’ua japë paratë.
Ndërsa, klasat nga 6 deri në 9, parashihet që t’i përdorin librat e nxënësve që kanë qenë paraprakisht në klasën përkatëse.
Por, për ta po shfaqen probleme të shumta për t’u furnizuar me librat të përdorur më parë.
Një problematikë të tillë e kanë shprehur prindër të nxënësve të klasës së tetë (8/2) në shkollën “Pjetër Bogdani“.
Ata kanë thënë për Gazeta Blic se fëmijët e tyre nuk kanë libra dhe se u është thënë që librat t’i blejnë.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur kujdestarja e kësaj klase, Fatlume Limani, e cila është arsimtare e gjuhës angleze.
Ajo ka shpjeguar se librat mungojnë pasi nuk janë dorëzuar nga klasa e 8-të që është dashur ta bëjë këtë.
“Në qershor kur i japim librezat për nxënësit, ata duhet t’i dorëzojnë librat dhe pastaj t’i marrin librat tjerë në shtator. Këtë herë, kur është bërë dorëzimi i librezave, unë e kam klasën 8/2 që në qershor ka qenë klasa 7/2 dhe kur kam shkuar në klasën e tetë që është dashur t’i lënë librat që t’i marr unë për nxënësit e mi, librat s’kanë qenë fare dhe kur kemi pyet, kanë thënë: “jo nuk i kemi”, “ua kemi dhënë të afërmve””, shprehet ajo.
Mësimdhënësja tregon se për problematikën e ka njoftuar menaxhmentin e shkollës dhe më pas i janë dhënë disa prej libra nga arkivi, të cilat ua ka shpërndarë nxënësve.
Por, sa i përket lëndës që ajo jep, pra gjuhën angleze, thotë se u ka thënë nxënësve që mund t’i fotokopjojnë ato, pasi duhet të jenë të pastra për t’u plotësuar, por jo doemos të jenë libra të rinj.
“Tash, kur erdhën në fillim të vitit në shtator, puna qëndron kështu te klasa ime: unë si kujdestare iu tregova gjithë këtë që ua tregova edhe juve. Kur erdha unë në afat të gushtit që u desh të lajmërohemi, unë kërkova libra dhe mi dhanë disa që ishin në arkiv dhe ato çka i gjeta, i mora i dërgova në klasën time dhe aq pat, as më shumë as më pak“.
“Por, kur më pyetën prindërit se çka me bë, unë iu thashë kështu: sa i përket lëndës që unë e jap, gjuhë angleze, librat duhet të qenë të rinj, të paplotësuar, por mund t’i bëjnë fotokopje, çka nuk prish punë edhe nëse librat janë të fotokopjuar, me rëndësi është që librat të jenë të pastër, sepse gjatë aktiviteteve, gjatë detyrave ata duhet t’i plotësojnë dhe është kriter i mësimdhënies dhe nxënies që librat duhet të jenë të pastër, të pa plotësuar, por nuk i kam obliguar që doemos libri duhet të jetë i ri. Por, çka ndodhi, prindërit kërkuan të dinë se si duken dhe unë ua dërgova në fotografi se cili libër duhet me qenë, që i përshtatet moshës, klasës së tetë”, thotë Limani për Gazeta Blic.
Ajo i qëndron mbrapa kësaj kërkese për ta.
“Unë si kujdestare nuk iu kam thënë që doemos duhet t’i blejnë librat e rinj, absolut, qëndroj mbrapa asaj që iu kam thënë atyre dhe po u them edhe juve. Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën mund të përdoren ato të kaluarat ose të fotokopjohen”.
Ndërsa, sa i përket librave tjerë për lëndët e tjera mësimore, ajo thotë se nuk mund të marrë përgjegjësi për arsimtarët e tjerë dhe nga ato që i janë shpërndarë nxënësve, kanë qenë vetëm disa nga lëndët dhe jo të gjitha.
“Për lëndët e tjera unë s’po mund të marr përgjegjësi. Nga librat që kanë qenë që i kam marrë, kanë qenë vetëm disa libra të disa lëndëve që ua dhashë nxënësve që t’i shpërndajnë, por nuk kanë qenë, ta zëmë për 15 lëndë të gjitha librat, jo nuk kanë qenë. Kanë munguar shumë”, shton ajo.
Arsimtarja potencon se një problematikë e tillë nuk është vetëm në klasën e saj.
“Ky problem nuk është vetëm në klasën time, sivjet është problem në përgjithësi në të gjitha klasat, që kanë mungesë të librave”, thekson Limani.
Ajo përmend se ministria për nxënësit e këtyre klasave ka ndarë vetëm nga 30 euro dhe ato për fletore e të tjera dhe se nuk e di se si mund t’ia dalin prindërit.
“Këtë problematikë e din menaxhmenti i shkollës dhe tash unë jam arsimtare dhe problemi zgjidhet në mënyrë hirearkike. Kështu që unë për lëndën time iu kam thënë kështu, por nuk e marr përgjegjësinë e arsimtarëve tjerë dhe nxënësit kanë të drejtë të komunikojnë me secilin arsimtar dhe të shohin se si po kërkojnë ata, se a mund t’i realizojnë apo jo nuk e di. E di që ministria i ka ndarë nga 30 euro për nxënës por ato janë për blerjen e fletoreve e të tjera dhe jo për libra”, deklaron Fatlume Limani./Gazeta Blic/


