Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Primoz Gliha është deklaruar në konferencë për media sot për përzgjedhjen e Arbnor Mujës për të përfaqësuar Shqipërinë.
Muja është larguar nga Kosova dhe për ndeshjet e shtatorit është grumbulluar me kombëtaren shqiptare.
Në konferencë për media para ndeshjeve eliminatore, përzgjedhësi Gliha është deklaruar se një gjë të tillë nuk e ka parë asnjëherë në jetë, duke iu referuar rastit se Muja kishte kërkuar minutazh te Kosova.
“Çfarë është më e rëndësishmja është dashuria për kombëtaren. Unë jam nga Sllovenia dhe nuk mund ta imagjinoj asnjëherë se dikush nuk vjen në kombëtare se nuk është futur një lojë dhe një gjë të tillë nuk do ta lejoj. Unë mund ta kuptoj nervozizmin gjatë ndeshjes, por jo të lënë kombëtaren. Në kombëtare vihet për dashurinë ndaj vendit tënd, jo për para e për minutazhë. Nuk kam dëgjuar asnjë rast në Slloveni që dikush ka lënë kombëtaren edhe pse atje jetojnë nacionalitete të ndryshme, të cilët po ashtu janë ftuar në kombëtare. Kurrë nuk mund të refuzosh kombëtaren”, ka thënë përzgjedhësi Gliha.
Ish-përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse kishte deklaruar kohë më parë se Arbnor Muja kishte kërkuar garanci nga ai që do të kishte minutazh dhe për këtë arsye nuk ishte ftuar në ndeshjet e radhës.
Zyrtari i FFK-së, Bajram Shala ka sqaruar edhe njëherë sot rastin e Mujës duke deklaruar se Federatat e Futbollit e Kosovës ka bërë çmos për ta mbajtur atë, por një gjë e tillë ishte e paarritshme.
Muja e Daku janë ftuar nga Shqipëria për ndeshjet e muajit shtator. Shqipëria do të përballet me Çekinë dhe Poloninë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.


