Lajme

Pal Lekaj flet për mocionin për rrëzimin e Qeverisë: A e kanë përkrahjen e opozitës dhe të deputetëve të pakënaqur të VV-së?

09/04/2023 16:00
nga:G B

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, të iniciuar që më parë nga kjo parti, e që kanë shpresuar që në shtator t’i bëjnë numrat.

Ai thotë se edhe pse kanë menduar se do të kenë përkrahje nga gjithë partitë opozitare, fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur.

“Sa i përket mocionit mendoj se është një proces demokratik dhe ne kemi menduar që mocioni do të përkrahet nga gjithë spektri politik opozitar, mirëpo jemi në vazhdën e diskutimeve dhe deri më sot ne fatkeqësisht nuk kemi marrë mbështetje nga partitë opozitare, por që ne me kohë e kemi marrë këtë mocion, për të tërhequr vëmendjen e qeverisë që të mos vijmë deri te sanksionet e BE-së për veprimet që i ka marrë, por deri më tash nuk kemi ndonjë mbështetje”, thotë ai.

Lekaj tregon se kanë biseda edhe me disa deputetë të pakënaqur të VV-së.

“Ka biseda me disa deputetë që janë të pakënaqur me veprimet e kryeministrit Kurti, por deri më sot nuk kemi diçka përfundimtare”, thekson deputeti i AAK-së për Gazeta Blic.

Ai ka folur edhe për takimin e 14 shtatorit në mes të Kurtit e Vuçiq, derisa thotë se nuk pret zhvillime pozitive dhe se sanksionet ndaj Kosovës kanë ardhur për shkak të Kurtit.

“Unë nuk pres ndonjë zhvillim pozitiv sa i përket takimeve të kryeministrit në kuadër të dialogut, sepse kryeministri nuk ka treguar seriozitet, nuk ka treguar bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe tani e ka sjellë në këtë gjendje situatën që ne të ndëshkohemi edhe nga ta që e kemi ndërtuar bashkarish shtetin e Kosovës, që është BE dhe mendoj që kjo qasje nuk do mend që me të vërtetë kryeministri nuk ka qenë i aftë të menaxhojë dhe të dialogojë me Serbinë. Ne e dimë qasjen e Serbisë ndaj Kosovës, ata nuk mendojnë mirë, nuk ia duan të mirën Kosovës, kanë dëshirë të përfitojnë vetë por ne duhet të jemi të vëmendshëm që ne t’i kryejmë detyrat e shtëpisë dhe ta ruajmë sovranitetin, ta fuqizojmë Kosovën e ta faktorizojmë tek ndërkombëtarët dhe që mos të sanksionohemi. Ne kemi sanksione nga BE dhe kjo krejt falë qasjes jo të drejtë të kryeministrit Kurti”, shprehet deputeti.

Kurse, sa i përket thirrjeve të VV-së që BE-ja t’ia heqë masat Kosovës, Lekaj thotë se është e drejtë që të kërkohet heqja e tyre për shkak të qytetarëve, por që më e drejtë do të kishte qenë që të mos ishim ndëshkuar.

“E drejtë ka qenë që ne mos të ndëshkohemi nga BE, mos ta sjellim vendin në këtë situatë, por ja që jemi këtu dhe është e drejtë në çdo kohë që ne të kërkojmë heqjen e masave, për qytetarët e Kosovës, jo për individin, pasi individët shkojnë e vijnë por qytetari po ngarkohet”, deklaron deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/