Lajme

Radomiroviq: Supozoj se Hetemi shkon në shtëpi dhe kthehet në punë

09/01/2023 18:55
nga:Sh R

Zëvendëskryeministri për Kthim dhe Komunitete, Radoica Radomiroviq, ka supozuar se kryetari i Leposaviqit, Lulëzim Hetemi, nuk qëndron vetëm në komunë tash e disa muaj, por edhe në shtëpi.

Radomiroviq tha se herën e fudnit që ishte në vizitë tek Hetemi ishte më 29 gusht, ku tha se po punojnë bashkë në zgjidhjen e problemeve aktuale dhe në hapjen e konkurseve.

“Lulëzim Hetemi dihet se është në komunë. Nuk mund të them nëse ai shkon në shtëpi apo jo, sepse nuk e di. Por, supozojë se ai shkon në shtëpi dhe kthehet në punë. Se kur kthehet, kjo nuk është pyetje për mua, por për vet Hetemin”, tha ai në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha foli edhe punën që po tentohet të ndalet nga Lista Serbe në Leposaviq, pasi sipas tij, janë gjetur një mori keqpërdorimesh.

“Bëhet fjalë për miliona euro të keqpërdorura, si për shembull te mbikëqyrja e projekteve të realizuara në komunën e Leposaviqit, si puna e investimit 2.6 milionë eurosh të investuara nga Qeveria e Kosovës, që kanë përfunduar te Rada Steviqi dhe te Milan Radojiçiqi”.

“Të gjitha i kanë marrë kompanitë e tyre, por në terren s’është ndërtuar asnjë objekt i vetëm. Kemi keqpërdorime të mjeteve në shkollën e bujqësisë në Leshak, ku janë shpenzuar 20 milionë euro, ndërsa për momentin, sipas informatave që kam, nuk gjendet asnjë nxënës”, tha ai.