Lajme

Berjani: Kosova, pas Maqedonisë, vendi me çmimet më të lira të naftës në regjion

09/01/2023 14:23
nga:N K

“Kosova vendi me çmimet më të lira në regjion për derivatet e naftës“. Kështu u shpreh Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, raporton Gazeta Blic.

Në një prononcim për Gazeta Blic, Fadil Berjani ka thënë se çmimet e derivateve të naftës nuk mund t’i paragjykojmë për arsye se ka lëvizje në tregjet ndërkombëtare, dhe sa i përket rritjes së çmimeve, ajo nuk vërehet shumë në tregun me pakicë, dhe se ato nuk varen nga Shoqata e Naftëtarëve e as nga tregtarët.

“Sa i përket çmimeve të derivateve të naftës, sot çmimet aktuale në tregun e Kosovës sillen 1.42 cent deri në 1.49 diesel, ndërsa benzina 1.42 cent deri 1.48. Sa i përket çmimeve ditëve në vijim ne nuk mund të paragjykojmë, sepse po ka lëvizje të mëdha në tregjet ndërkombëtare, por trendi i çmimeve është në rritje. Një rritje e lehtë që nuk vërehet në tregun me pakicë. Kjo nuk varet as nga Shoqata e Naftëtarëve as nga tregtarët as nga qeveria”, deklaroi Berjani.

Ai tha se i mbështet qytetarët dhe i kupton ankesat e tyre për rritjen e çmimit të derivateve, dhe shtoi se çmimi real në Kosovë do të duhej të ishte 1 euro litri.

“Sa i përket çmimit, qytetarët kanë të drejtë të ankohen dhe unë e mbështesë zërin e qytetarëve, sepse çfarë standardi kemi dhe çfarë jete kemi, ma merr mendja që çmimi real do të duhej të ishte 1 euro. Qytetarët tanë janë duke u shërbyer, realisht po flasë me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore, e cila e ka çmimin e dieselit më të ulët për 22 cent. Shtetet e tjera duke filluar nga Shqipëria, (sot në Shqipëri 1 litër diesel e ke 1.88 cent ndërsa benzinën 1.80), Bosnja, Mali i Zi, i kanë çmimet më të shtrenjta. Do të thotë qytetarët e vendit tonë janë duke u furnizuar me çmime më të lira ne regjion”, u shpreh ai.

Berjani theksoi se vendimi nga qeveria për 12 cent të marzhes së fitimit është duke u respektuar, dhe që këtij vendimi i skadon afati sot.

“Sipas informatave që kam, vendimi i qeverisë për 12 cent është respektuar dhe duhet të respektohet çdo vendim që lëshohet nga qeveria. Vendimit të Qeverisë i skadon sot afati, do të thotë ne jemi treg i hapur dhe i lirë”, përfundoi Berjani për Gazeta Blic.