Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me mënyrën e re që po aplikohet këtë vit për blerjen e teksteve shkollore.
Rexhaj tha se është një kohë shumë e shkurtër për zbatimin e procedurën për blerjen e teksteve përmes këtij mekanizmi.
“Konsideroj se koha është shumë e shkurter për zbatimin e procedures së blerjes së librave me ketë mekanizem. Shkollat tash mund dhe duhet të ndihmojnë prindërit për regjistrim. Ditet në vijim do të tregojne vlerën e vendimit” tha Rexhaj për “Gazeta Blic”
Sa i përket anulimit të tenderit me vlerë 4 milion euro dhe aprovimit të atij me vlerë mbi 6 milion, Rexhaj tha se nuk është i informuar duke theksuar se e rëndësishme në këtë fazë është që shpërndarja e teksteve shkollore të jetë sa më efikase.
“Nuk jam i informuar për keto negociata dhe për aspektet financiare. Nuk mund ti vleresoj. Gjithsesi më mirë është të paguhet me pak per libra sa me cilësore dhe që shperndarja të jete sa më efikase. Për ketë të fundit kërkohet shumë punë në këtë fazë” tha Rexhaj për “Gazeta Blic”

Xhavit Rexhaj, Ish-zëvendësministër i Arsimit
Javë më parë, Ministria e Arsimit, kishte anuluar tenderin me vlerë mbi 4 milion euro për blerjen e teksteve shkollore nga klasa e parë deri në klasën e pestë me arsyetimin se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese janë të larta.
“Anulimi i procedurës së prokurimit është bërë pasi që ofertuesit – Shtëpitë Botuese kanë tejkaluar vlerën e parashikuar për ketë procedure të prokurimit. Edhe përkundër negociatave qe janë zhvilluar me Shtëpitë Botuese, çmimet janë më të larta se shuma e parashikuar për këtë procedurë të prokurimit. Vlera e parashikuar ka qenë: 4,316,885.00 € Vlera pas negociatave është: 4,830,069.62 €”, thuhet në vendim.
Ndërsa në mbledhjen që u mbajt dje, Qeveria mori vendim që të ndajë mbi 6 milion euro për subvencionimin e teksteve shkollore nga klasa e parë deri në të pestën.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot, në mënyrë elektronike, mbledhjen e radhës në të cilën ka ndarë 6,323,380 (gjashtë milionë e treqind e njëzetë e tre mijë e treqind e tetëdhjetë) euro për subvencionimin e teksteve shkollore për klasat 1-5, dhe 6,617,340 (gjashtë milionë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e treqind e katërdhjetë) euro për subvencionimin e materialeve mësimore për klasat 1-9”, thuhet në njoftimin e Qeverisë raporton Gazeta Blic.
/Gazeta Blic/
Qeveria ndan mbi 12 milionë euro për tekste shkollore


