Klajdi Bitri ndërroi jetë, pasi pushka e peshkimit që e goditi në gjoks i dëmtoi dy organe vitale, zemrën dhe mushkërinë.
Këto janë rezultatet e para të autopsisë së 23-vjeçarit shqiptar që humbi jetën të dielën e kaluar në komunën e Sirolosë në Itali.
Autopsia ka zgjatur 4 orë ndërsa procesi u ndoq edhe nga një mjek i caktuar nga mbrojtja e Melloul Fatah, 27-vjeçarit algjerian, i cili ndodhet në paraburgim nën akuzën “vrasje për motive të dobëta”.
I riu shqiptar pati një konfilkt për lirimin e rrugës.
Shtetasi algjerian pas sherrit, shkoi në makinë dhe mori pushkën e peshkimit duke e goditur me shtizë Bitrin.
Avokati i tij pretendon se ai ka reaguar për vetë mbrojtje pasi kundër tij ishin tre persona që po e kërcënonin.
Klajdi Bitri doli nga makina për të mbrojtur mikun e tij italian por u godit nga algjeriani.
Shpenzimet për riatdhesimin e trupit dhe ceremonisë mortore në vendlindje janë marrë përsipër nga bashkia e Lushnjes. 35 mijë euro janë mbledhur ne platformën Go Fund me pas fushatës që u inicua nga vëllai i vogël i viktimës.
/Klan News/


