Lajme

Vuçiq në takimin me Lajçakun përsërit frazat e njëjta në lidhje me Kosovën

08/30/2023 14:48
nga:Genita C

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, sot e ka takuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ku ky i fundit edhe një herë e ka shprehur “shqetësimin e tij” për “zhvillimin e ngjarjeve” në Kosovë.

Pas bisedës dy orëshe, Vuçiq ka publikuar në profilin e tij në Instagram se Lajçakut ia ka përcjellë “shqetësimin e tij” lidhur me “planin e Kurtit për pushtimin e veriut të Kosovës dhe dëbimin e serbëve”.

“Jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe planin e Kurtit për të pushtuar veriun e “krahinës sonë” me dhunë dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Këtë ia kam përcjellë përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak”, ka shkruar Vuçiq, duke mos përmendur çfarë ka thënë Lajçak në këtë takim.