Lajme

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin e tretë për keqpërdorim me tender për shtrimin e rrugëve në Suharekë

08/29/2023 15:00
nga:N M

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren, për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin B.S., i cili nga Policia e Kosovës është arrestuar nën dyshimin se bashkë me Enver Shabanin, drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashin, zyrtar i Komunës së Suharekës, dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zyrtari për informim i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.

Lekaj tha se ndaj të dyshuarit S., Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për shkak dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, par.3 lidhur me par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Shabani dhe Kabashi ishin arrestuar më 22 gusht, ndërsa Gjykata Themelore në Prizren, më 24 gusht ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç).

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte siguruar aktvendimin për fillimin e hetimeve, të cilin Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda e kishte marrë ndaj Shabanit dhe Kabashit, ku sipas këtij vendimi, të njëtit prej 18 maj 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në Suharekë në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për personat tjerë, të njëjtit me dashje shkelin ligjin e Prokurimit Publik.

Sipas vendimit, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521 me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

Për këto veprime, në vendim thuhet se të njëjtit Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 cent.

Gërxhaliu: Do të isha i lumtur ta shihja Kosovën siç është përshkruar në videon e VV-së