Ditën e djeshme presidenti francez Emanuel Macron pati një paralajmërim të fortë në lidhje me çështjen e vizave.
Ai deklaroi se nëse Kosova nuk sillet me përfgjegjësi vizat mund të rishikohen.
“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron para ambasadorëve raporton Gazeta Blic.
Në lidhje me këtë deklaratë të presidentit francez, ka folur për “Gazeta Blic” anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.
Kadrijaj tha se nga Macron erdhën vërejtje për Kosovën dhe Serbinë se nëse nuk zbatohet marrëveshja e Ohrit do të ketë sanskione.
“I përcollëm zhvillimet që ndodhën në Slloveni dhe e pamë edhe deklaratën e presidentit Macron i cili në njëfarë forme i dha një vërejtje edhe Kosovës edhe Serbisë në raport me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër që nëse të dyja palët nuk do të jenë konstruktive në raport me këtë marrëveshje do të ketë sanksione. Çfarë është më e keqja se sanksionet do të jenë më të mëdhaja për Kosovën sepse e kushtëzoi edhe me çështjen e liberalizimit të vizave” tha Kadrijaj për “Gazeta Blic”
Tutje deputetja e AAK-së, tha se në lidhje me këto paralajmërime duhet të ketë reflektim nga Qeveria e Kosovës.
“Kosova ka pritur shumë për procesin e liberalizimit të vizave, ka kaluar në shumë sfida dhe shumë situata edhe pse ka plotësuar kushte dhe kritere ma shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit. Duhet të ketë një reflektim nga Qeveria e Kosovës sepse Albin Kurti e ka përgjegjësinë e një lidershipi të Kosovës dhe jo të një kryetari të një partia politike” tha deputetja e AAK-së për “Gazeta Blic”.

Time Kadrijaj, AAK
Komentet e Macron vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.
/Gazeta Blic/


