Skuadra e Strugës do të tentojë përmbysjen e rezultatit ndaj Breidablik të enjten në Islandë si dhe kualifikimin në grupet e Conference League.
Ndeshja e parë e “Play Offit” e zhvilluar në Ohër përfundoi me fitoren e Breidablik 0-1, pavarësisht se Struga kishte dominimin absolut.
Mbrojtësi i Strugës, Mexhit Neziri beson se skuadra e tyre është e motivuar dhe mund ta rikthejë rezultatin dhe të bëjë historinë duke u kualifikuar në grupet e kompeticionit të UEFA’s.
“Atmosfera është e mirë, i gjithë ekipi ka vetëbesim dhe bindje se mund të fitojmë në Islandë, kemi bërë histori deri tani – ku shumë pak e kanë pritur, kështu që shpresojmë të përsëritim befasinë edhe atje”, tha fillimisht Neziri për ‘GazetaBlic Sport’
Sipas Nezirit, skuadra e Strugës ishte më e mirë edhe në ndeshjen e parë – por pësuan vetëm nga pakujdesia.
“Ishim më të mirë në ndeshjen e parë, edhe pse pësuam një gol nga pakujdesia, andaj kjo na lë të shpresojmë se kemi mundësi atje të fitojmë dhe të kualifikohemi. Normalisht masat janë marrë, e njohim më mirë kundërshtarin dhe shpresojë se do t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të kundërshtarit”, vazhdoi ai.
Në fund, futbollisti i Strugës potencoi se do të japin maksimumin për të marrë rezultatin historik, pra kualifikimin në Conference League.
“Kemi pasur mbështetje kudo që kemi luajtur nga shqiptarët, ju premtojmë se do të japim maksimumin t’i bëjmë krenar dhe të kualifikohemi në grupet e Conference League”, përfundoi ai.
Kujtojmë se ndeshja mes Breidablik dhe Strugës luhet të enjten nga ora 18:45 në ‘Kopavogur’.
/GazetaBlic Sport


