Muhamet Hyseni është një nga futbollistët më të talentuar në Kosovë. Pas shkëlqimit në Ligën e Parë me Feronikelin 74′, Hyseni u rikthye tek skuadra e Llapit ku e ka filluar mjaft mirë aventurën me ekipin e Tahir Batatinës.
Sulmuesi 22 vjeçar, Muhamet Hyseni ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e fundit, një ndaj Dukagjinit dhe një dje ndaj Fushë Kosovës, për ta ndimhmuar Llapin t’i marrë gjashtë pikë.
Hyseni thotë se ka vepruar mirë me rikthimin tek Llapi, teksa atmosfera është shumë e mirë në këtë fillim të sezonit.
“Po mendoj se ishte koha e duhur për t’u rikthyer tek Llapi. Rikthim i mirëpritur nga ana ime dhe shpresojë të vazhdoj me formën aktuale. Gjithashtu, besoj se në aspekt ekipor jemi komponuar mjaft mirë dhe shkaqet nuk janë sekrete, jemi të lidhur tejmase dhe se atmosfera është jashtëzakonisht e mirë – harmoni e cila i sjell ekipit edhe rezultatet e duhura në fushë. Për pak kohë do të shohim forcën e vërtetë të këtij grupi”, tha fillimisht Muhamet Hyseni për ‘GazetaBlic Sport’.
Personalisht, ai mendon se e ka filluar mirë sezonin dhe për këtë falënderon bashkëlojtarët.
“E kam filluar shumë mirë kampionatin dhe synoj që me punë të madhe e performanca të tilla ta ndihmoj ekipin drejt arritjes së objektivit sezonal. Pa besimin e kryetrajnerit dhe stafit të tij, dhe pashmangshmërisht ndihmën e bashkëlojtarëve nuk do të mund të shënoja këta gola por aq më e rëndësishme kur goli ka vlerën e pikëve maksimale për ekipin tonë”
Ai synon që këtë edicion me KF Llapin të fitojë trofe dhe të vazhdojë me gola.
“Kisha sezon shumë të mirë në Ligën e Parë dhe synoj të përsëris padyshim statistikat individuale edhe tek Llapi, duke shënuar sa më shumë gola me përkushtim maksimal në punë, me besimin se angazhimi përkthehet në përmbushje të objektivave të klubit – fitimin e trofeve më të çmuar gjate 2023/24, gjë për të cilën menaxhmenti i klubit ka punuar duke krijuar skuadër tejet konkurruese me emra të mirënjohur të futbollit vendor dhe jo vetëm”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


