Lajme

Trump pas vetëdorëzimit, u lirua me garanci deri në gjykim

08/25/2023 09:56
nga:N M

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u vetëdorëzua në një burg në Gjeorgji, nën akuzat për shantazh dhe konspiracion. Ai u lirua me një garanci prej 200 mijë dollarësh deri në gjykim

Donald Trump është dorëzuar në Gjeorgji me akuzën e komplotit për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të shtetit të vitit 2020. Trump duhej të paguante një garanci prej 200 mijë dollarësh për t’u liruar ndërsa ai pret gjykimin. Është ndalimi i tij i katërt në pesë muaj në një çështje penale, por kjo ishte fotografia e tij e parë e arrestit nga policia.

Këto dorëzime shihen si episode që nuk ishin parë kurrë në SHBA para vitit 2023. Trump më vonë postoi në X, i njohur më parë si Twitter, për herë të parë që nga janari 2021.

Ai ndau adresën e faqes së tij të internetit dhe fotografinë e bërë nëme një mbishkrim me shkronja të mëdha: “Ndërhyrje në zgjedhje. Mos u dorëzo kurrë!” Trump argumenton se rastet kundër tij janë të motivuara politikisht sepse ai po udhëheq garën republikane për të sfiduar Presidentin Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ish-presidenti i parë ose në detyrë i SHBA-së që u padit ndonjëherë, bëri udhëtimin vajtje-ardhje nga Nju Xhersi me aeroplanin e tij privat të enjten pasdite. Ai ka qenë brenda objektit për rreth 20 minuta. Dhjeta mbështetës të tij u mblodhën jashtë. Të dhënat e postuara në uebsajtin e burgut përshkruanin Trumpin si një burrë të bardhë, 1 metër e 80 centimetra I gjatë dhe me peshë 97 kg. Numri i tij P01135809.

Para se të nisej për në shtëpi, ai u tha gazetarëve në aeroport se kishte të drejtë të kundërshtonte rezultatin e një votimi.

“Mendova se zgjedhjet ishin zgjedhje të manipuluara, zgjedhje të vjedhura,” tha Trump, i cili shpesh bën pretendime të pabaza për mashtrim të gjerë të votave në vitin 2020. “Dhe unë duhet të kem çdo të drejtë ta bëj këtë.

Trump u akuzua javën e kaluar së bashku me 18 bashkëpandehur për ndërhyrje në rezultatet e zgjedhjeve të Gjeorgjisë pas humbjes së tij ndaj presidentit Biden me më pak se 12,000 vota në atë shtet.

Ndër 13 akuzat me të cilat përballet Trump janë shantazhi, nxitja e një zyrtari publik për të shkelur betimin e tij të detyrës, komplot për të kryer falsifikim dhe dhënie deklaratash të rreme e të tjera. Ai mohon të gjitha akuzat kundër tij.

Vetëm disa orë përpara se të dorëzohej, Trump zëvendësoi avokatin e tij kryesor mbrojtës, Drew Findling, me avokatin veteran të mbrojtjes penale të Atlantës, Steven Sadow. Një nga kushtet e lirimit me kusht të Trump është që ai të përmbahet nga çdo koment, në mediat sociale apo ndryshe, që kanë për qëllim “frikësimin” e dëshmitarëve ose të bashkëpandehurve.

Ai gjithashtu nuk lejohet të ketë asnjë komunikim me të bashkëpandehurit e tjerë, përveçse nëpërmjet avokatëve të tij.