Lajme

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin se në emër të fajdesë përfitoi nga i dëmtuari mbi 78 mijë euro

08/23/2023 14:59
nga:N M

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të mërkurën, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Beqir Hoxhës, i cili u arrestua nga Policia nën dyshimin se në emër të fajdesë ka përfituar 78 mijë e 200 euro.

Këtë kërkesë, e ka bërë në seancën dëgjimore, prokurori Petrit Kryeziu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Kryeziu ka thënë se ekzistojnë të gjitha kushtet ligjore që ndaj Hoxhës të caktohet masa e paraburgimit, i njëjti këtë masë e ka cilësuar si të domosdoshme për këtë rast.

Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e ka kundërshtuar mbrojtësi i Hoxhës, avokati Valdet Hoxha.

Ai ka thënë se i mbrojturi i tij është familjar dhe nuk e ka asnjë interes që t’i ikë drejtësisë dhe se nuk ka interes që të provojë të ndikoj tek dëshmitarët e Prokurorisë.

Ndryshe, ndaj Hoxhës, Prokuroria Themelore në Prizren kishte filluar hetimet më 21 gusht 2023, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.

Në vendimin e Prokurorisë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i dyshuari Hoxha nga muaji qershor 2016 deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, me dashje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F.S dhe prindit të tij tani të tjerë Sh.S.

Sipas vendimit, në muajin qershor të vitit 2016 duke qenë se iu duheshin para për të investuar në biznesin familjar, fillimisht i dëmtuari Sh.S., ia kishe marrë të pandehurit Hoxha shumën e të hollave prej 6 mijë euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.

Kurse, i dëmtuari F.S., thuhet se nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, vazhdon të paguajë nga 600 euro kamata mujore, duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49 mijë e 200 euro.

Tutje thuhet se, i dëmtuari F.S i gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, më 18 shkurt 2018 merr nga i pandehuri Beqir shumën e të hollave në vlerë prej 3 mijë euro, ndërsa në muajin mars nga i njëjti merr shumën e të hollave prej 2 mijë euro, për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 500 euro kamata mujore.

“I dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5.000 euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 29 mijë euro, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 (shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind) euro, kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguaj kamatat, i pandehuri e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata ditore”, thuhet në vendim.

Në vendim thuhet se, me këto veprime, Hoxha kishte për të kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3, lidhur me par.1 të KPRK-së.

Qeveria shtyu regjistrimin e popullsisë, Demi: Boll ma me vajtime e kukatje