Sporti

Dy paraqitje fantastike në portën e Prishtinës, Nika: Duhet të jemi të fokusuar tek ndeshjet, luftojmë për trofe

08/22/2023 13:06
nga:Mergim Rreci

Prishtina e ka nisur mirë edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.

Kryeqytetasit kanë siguruar katër pikë nga dy ndeshjet e para, duke fituar ndaj Feronikelit dhe duke barazuar ndaj Gjilanit.

Njëri ndër më të mirët tek Prishtina në këto dy takime ishte portieri, Ardit Nika, i cili me pritjet e tij e shpëtoi portën në disa raste.

Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Nika tha se janë dy ndeshje të mira, por që asesi nuk duhet të kënaqen sepse është vetëm filimi i sezonit.

“Mund të them se kanë qenë dy ndeshje të mira, por kurrë nuk duhet të jemi të kënaqur me atë që bëjmë, duhet të përmirësohemi në çdo ndeshje të kemi sa më pak gabime dhe të fokusohemi në secilën prej tyre, objektivat e mia personale janë të jem sa më i përqendruar, të mos bëjë gabime dhe të arrijë objektivat e klubit”, tha fillimisht ai.

Tutje, Nika tha se Prishtina është një skuadër që gjithmonë kërkon trofe, atje ku të bashkuar do të kërkojnë një gjë të tillë.

“Mendoj se Prishtina gjithmonë garon vetëm për titull, sepse është një klub që kërkon trofe dhe besoj se me një ekip të bashkuar mund të garojmë edhe për këtë gjë, pavarësisht se jemi ekip i ri. Deri në fund nuk i dihet, duhet të shkojmë nga ndeshja në ndeshje dhe të jemi sa më të koncentruar për të arritur objektivat e klubit”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/