Fit&Sexy

Pse nxihemi disa orë pasi kthehemi në shtëpi nga plazhi?

08/20/2023 19:58
nga:G C

A është rrezitja e sigurt? Ja çfarë ekspertët duan të dini ju

E keni vënë re ndonjëherë që pas një dite të tërë rrezitjeje, keni shkuar në shtëpi dhe ju duket se nuk jeni nxirë fare dhe vetëm pak orë më vonë lëkura juaj është errësuar?

A keni menduar ndonjëherë pse është kështu?

Një studim i ri nga Universiteti i Tel-Avivit ka një përgjigje të mundshme, transmeton Telegrafi.

Studimi, i cili u botua në Journal of Investigative Dermatology, thotë se mënyra se si njerëzit nxihen ka të bëjë me mënyrën se si trupi përpiqet të mbrohet nga ekspozimi ndaj rrezatimit ultravjollcë (UV), i cili zakonisht vjen nga dielli ose rrezitja artificiale në solariume.

Në fakt, edhe pse shumë njerëz duan të kenë një ngjyrë të errët, lëkura e nxirë nga dielli është në fakt një shenjë se lëkura është e dëmtuar dhe po përpiqet të rikuperohet, transmeton Telegrafi.

– Ne kemi dy mekanizma të krijuar për të mbrojtur lëkurën nga ekspozimi ndaj rrezatimit të rrezikshëm UV, – thekson Nadav Elkoshi, një nga autorët e studimit, në një deklaratë për shtyp të publikuar nga Yahoo Life.

– Mekanizmi i parë riparon ADN-në në qelizat e lëkurës të dëmtuara nga rrezatimi, ndërsa mekanizmi i dytë përfshin rritjen e prodhimit të melaninës, e cila errëson lëkurën për ta mbrojtur atë nga ekspozimi i rrezatimit në të ardhmen.

Elkoshi shpjegoi se arsyeja pse fenomeni i nxirjes nuk ndodh menjëherë kur trupi ekspozohet në diell është se “mekanizmi që riparon ADN-në tonë ka përparësi mbi të gjitha sistemet e tjera në qelizë, duke penguar përkohësisht mekanizmin e pigmentimit”.

– Vetëm pasi qelizat të riparojnë informacionin gjenetik sa më mirë, ato fillojnë të prodhojnë melaninë të shtuar – tha ajo.