Lajme

LDK do të kërkojë Komision Hetimor për aferën e rezervave, Halimi: Hetime dhe shkarkime – Kurti po njollos gjyqësorin

08/20/2023 14:19
nga:G B

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për dosjen e prokurorisë për rezervat shtetërore.

Ajo thotë se për dënim e shkaktuar ndaj buxhetit të Kosovës 601 mijë euro, duhen shkarkime.

“Dëmi i shkaktuar buxhetit të Kosovës në vlerën prej 601 mijë euro ndër të tjera është përgjegjësi politike dhe për këtë çështje sigurisht përpos shkarkimeve, organet e rendit duhet të vazhdojnë punën e tyre profesionale dhe të pavarur në këtë rast dhe në të gjitha rastet tjera me elemente korruptive dhe kriminale”, thotë ajo.

Ajo thotë se derisa ka fakte se në këtë aferë ka përfshirje të niveleve më të larta politike të kësaj Qeverie, hetimi duhet t’i përfshijë të gjitha nivelet.

“Deri më tani, nga faktet e publikuara ngrehen dyshime të mëdha që në aferën e rezervave shtetërore, kemi përfshirje të niveleve më të larta politike të kësaj Qeverie, prandaj hetimi duhet të përfshijë të gjitha nivelet e pushtetit, pa dallim”, thekson zëdhënësja e LDK-së, për Gazeta Blic.

Halimi e konsideron të papranueshme komentimin e kryeministrit për vendimet e gjyqësorit dhe thirrjet e tij që të njolloset ai, duke goditur kështu gjyqësorin si të ndikuar politikisht.

“Po ashtu, është e papranueshme mendësia e kryeministrit të vendit që komenton vendimet e instancave të drejtësisë dhe bën thirrje të njolloset në masë ky pushtet i ndarë, duke bërë presion në sistemin e drejtësisë, dhe të pengojë hetimet. Kryeministri Kurti po vendos pushtet të pa balancuar duke goditur gjyqësorin si të ndikuar politikisht me synimin që vendimeve të tij të mos u besojë askush”, shton ajo.

Halimi paralajmëron se LDK do të kërkojë themelimin e Komisionit Hetimor për aferën e rezervave shtetërore, sapo të nis sesioni vjeshtor i Kuvendit.

“Prandaj, LDK në fillim të sesionit të ri të Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç është paralajmëruar, do të kërkojë themelimin e Komisionit Hetimor për aferën e rezervave shtetërore, për të adresuar qartë gjithë përgjegjësinë politike të majës së pushtetit”, deklaron zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi./Gazeta Blic/

“Përgjegjësia bie mbi Kurtin”/ Kërkohen dorëheqje në nivele të larta politike pas dosjes së Prokurorisë për rezervat shtetërore