Sporti

Altin Aliu: “Malisheva do jetë arrë e fortë këtë sezon, i lumtur me dygolëshin e realizuar ndaj Fushë Kosovës”

08/20/2023 12:27
nga:E K

Malisheva ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri të Superligës së Kosovës.

Pas fitores në xhiron e parë ndaj Dukagjinit me rezultat 1-0, Malisheva mposhti bindshëm dje klubin e sapo inkuadruar në elitën e futbollit kosovar, Fushë Kosovën me rezultat bindës 6:1.

Lojtari i Malishevës, Altin Aliu i cili realizoi dygolësh në fitoren e djeshme të skuadrës së tij, foli për “GazetaBlic Sport” ku deklaroi se Malisheva synon pozicionim sa më të lartë në tabelën e Superligës së Kosovës.

“Startin e sezonit e filluam në mënyrën më të mirë të mundshme ku në dy ndeshje arkëtuam gjashtë pikë të rëndësishme për vazhdimësinë e mirë të kampionatit. Në fitoren e djeshme ndaj Fushë Kosovës shënova dy herë dhe ndihem i lumtur për dygolëshin e realizuar, shpresoj të vazhdoj të shënoj dhe t’i ndihmoj ekipit për t’i arritur objektivat e veta”, tha fillimisht Aliu.

“Objektivat e klubit janë që të jemi sa më lartë në tabelë, pra Malisheva do të jetë arrë e fortë këtë sezon”, përfundoi ai për “GazetaBlic Sport”.