Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se Policia e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme ka konfiskuar dokumentet për rezervat shtetërore
“Policia e Njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikate sekrete, pra, kërkesa e Policisë për pranim-droëzim të këtyre provave dhe dokumenteve ka qenë në kundërshim me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, ka thënë Hajdari, në konferencën për media, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo ka thënë se zyrtarët e arrestuar janë të pafajshëm dhe nuk dyshon në asnjë keqpërdorim të zyrtarëve të arrestuar.
Aksioni i Policisë dhe Prokurorisë ka nisur sot në orën 6 të mëngjesit në dy lokacione.
E Ministria që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari i ka mirëpritur hetimet e Prokurorisë Speciale për rezervën shtetërore dhe u ka bërë thirrje organeve të hetuesisë të mos cenojnë sigurinë kombëtare gjatë hetimeve.
Edhe Vjosa Osmani, Presidente e Republikës, ka thënë se duhet pritur përfundimin e punës së organeve të drejtësisë lidhur me arrestimet e sotme të tre të dyshuarve për përfshirje në dallavere me rezervat shtetërore.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se tre të arrestuarit e sotëm – Hafiz Gara, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi – janë ndaluar për 48 orë derisa është paralajmëruar se do të kërkohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Bastisjet janë zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoi ndodhi edhe me një pjesë të grurit./BetimipërDrejtësi


