Lajme

Flet njohësi i çështjeve ligjore, sa mund të dënohet Besnik Mujeci sipas ligjeve të Kosovës e të Shqipërisë

08/17/2023 16:03
nga:G B

Njohësi i çështjeve ligjore, Ardian Bajraktari, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për arrestimin e ish-asamblistit të VV-së, Besnik Mujeci, i cili dyshohet për kontrabandim me drogë, të llojit ekstazi.

Ndaj tij dhe katër bashkëpunëtorëve të tjerë Gjykata e Tiranës ka vendosur sot që të qëndrojnë në burg pa afat.

Ai ka shpjeguar se sa mund të dënohet ai për veprën penale, sipas ligjeve të Kosovës.

“Me aq sa shihet deri tash, kemi të bëjmë me vepër penale të narkotikëve, me shumë gjasë, me vepër penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të parashikuara nga Neni 267, paragrafi 3, i këtij neni, i cili përcakton: “Kushdo që pa autorizim eksporton ose importon substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope ose substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet””, thotë ai.

Ai thotë se sipas nenit 275, dënimi mund të shkojë deri në 15 vjet burgim.

“Shtesë kësaj, neni 275, (Dënimi për raste të rënda të veprave penale nga ky Kapitull) përcakton se: “nëse vepra penale nga nenet 267, …të këtij Kodi, kryhet në një ose më shumë nga rrethanat në vijim, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet, nëse ndër të tjera kryesi vepron si anëtar i grupit”. Këto, janë limitet e përcaktuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thekson Bajraktari.

Njohësi i çështjeve ligjore tregon edhe si janë dënimet sipas egjislacionit të Shqipërisë.

May be an image of 1 person

Ardian Bajraktari

“Kurse për këtë vepër penale, e cila ka shumë gjasë të jetë kryer në rastin në fjalë, legjislacioni penal i Republikës së Shqipërisë, krahasuar me legjislacionin e Kosovës, shkon përtej.

Sipas nenit 283/a, të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, kur (Trafikimi i narkotikëve) kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet burg.

Këto janë limitet që i parasheh legjislacioni penal për veprën e cila me aq sa kemi parë, dyshohet se janë kryer në Shqipëri, pastaj kjo mbetet të shihet në procedurë gjyqësore, me rastin e administrimit të provave, duke shpresuar që ky proces të administrohet mirë dhe drejtë”,  potencon ai.

Bajraktari shton se “nëse vërtetohet se të njëjtit janë kryerës të kësaj vepre, do të marrin dënimin në pajtim me peshën e përgjegjësisë që kanë pasur, po ashtu duke e marrë për bazë edhe peshën e pasojave që ka shpërndarja e një substance të tillë, në pikun e sezonit turistik, shpërndarja e narkotikëve të tillë që zakonisht e përdorë rinia”./Gazeta Blic/

“Duhet të ofrojë dorëheqjen”/ Cakolli tregon si mund ta humbasë mandatin Besnik Mujeci i VV-së, i arrestuar për drogë