Lajme

Ibrahimi i reagon Muratit: Nuk u rritë përqindja e buxhetit për komunat, 77.4% e buxhetit i mbetet Qeverisë së Kosovës

08/17/2023 14:48
nga:N M

Sazan Ibrahimi, drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka reaguar pas njoftimit të ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se për vitin 2024 buxheti për komunat e Kosovës do të jetë 742 milionë euro, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij, dallimi në përqindje për komuna nuk dallon.

Ai ka thënë se nga buxheti total i Kosovës, 77.4% e tij shkon për Qeveri, ndërsa 22.6 për komunat.

“I gëzohemi çdo euro që shkon më shumë për komuna, mirëpo vetëm 22.6% e buxhetit total të Republikës së Kosovës do të shkon vitin e ardhshëm për komuna, kurse 77.4% do të mbetet në nivel qendror. Në vitin 2021 ka qenë 22.1% për komuna kurse 77.9% për nivel qendror”, thotë Ibrahimi për Gazeta Blic.

Sipas drejtorit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, këto ndarje vijnë si rezultat kryesor i formulave dhe politikave që janë hartuar në legjislacionin, i cili është hartuar në qeveritë e kaluara e që janë në fuqi edhe tani rreth ndarjeve buxhetore.

“Po flas gjithmonë për % -jen që ndahet për komuna. Komunat kërkojnë grantin e IV-të për investime kapitale e që kjo do ta shtonte %. Pra % është me rëndësi, sepse vlera monetare rritet me rritjen e buxhetit të shtetit dhe duke marrë parasysh që qeverisë zakonisht i teprojnë shumë milionë euro është normale që ato mjete të pashpenzuara të barten. Në vitin e ardhshëm dhe buxheti rritet dhe me automatizëm buxheti në vlerë monetare rritet për komuna, por shihni sa është dallimi në % me vitin 2021 për buxhetin e komunave”, tha ai.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që drejtohet nga Albin Kurti që të rritet % për komuna.

“Kjo është me rëndësi dhe konsultohuni me komuna për hartimin e ligjeve që prekin komunat e jo të hartohen ligjet pa asnjë konsultë me komuna”, tha Ibrahimi. /Gazeta Blic/

Murati: Buxheti i komunave për vitin 2024 arrin në 742 milionë euro