Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, raporton Gazeta Blic.
Sipas një njoftimi për media, temë e takimit ishin planifikimet e Këshillit Gjyqësor për efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit gjyqësor, rezultatet e deritanishme të Gjykatës Komerciale pas funksionalizmit të saj, reformat në drejtësi dhe gjithashtu funksionimi i Gjykatës në Mitrovicën e Veriut.
“U dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit rreth reformës në drejtësi, si dhe çështjeve të tjera, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe zëvendësministri, Blerim Sallahu, ndërkaq nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përveç kryesuesit, e pranishme ishte edhe anëtarja e KGjK-së, Drita Rexhaj.


