Mesfushori i Feronikelit 74′, Robert Rrahmani thotë se është ambientuar shumë mirë tek ekipi nga Drenasi, pas transferimit të tij në këtë merkato verore.
Rrahmani luajti në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Prishtinës, ku skuadra e tij humbi me rezultatin 3-1.
Sipas mesfushorit, Feronikeli 74′ ka ekip konkurrues dhe mund të përballen denjësisht m të gjitha ekipet.
“Ka mbizotëru një atmosferë jashtëzakonisht e mirë në klub që nga dita e parë kur kemi filluar dhe veçanërisht në raport me mua duke e ditur se une kam ardhur si transfer i ri nga Trepca 89′, mirëpo mikëprita nga klubi, lojtarët dhe stafi teknik kanë bo që unë të adaptohem shumë shpejtë dhe ta ndjej veten shumë mirë. Me hyrjen në Superligë, klubi ka pasur shume dalje dhe hyrje të reja të lojtarëve dhe kjo normal ka qenë shume sfiduese si për klubin ashtu dhe për stafin teknik, por mendoj që ja kemi dalur me sukses që të kemi një skuadër konkurruese për sezonin që veçse ka nisur në Supërligën e Kosovës. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që do na vijnë dhe kësisoj po përgatitemi maksimalisht që të jemi gati t’i përballemi sa më denjësisht që mundemi”, tha Robert Rrahmani për ‘GazetaBlic Sport’.
Rrahmani e pranon që skuadra e tij nuk e nisi mirë – por ai rezultat nuk do t’i demoralizojë aspak, teksa tani në xhiron e dytë do konkurrojnë për rezultat pozitiv ndaj ekipit të Ballkanit, kampion aktual.
“E vërtet që filluam jo në mënyrën që deshtëm dhe kjo na ka mërzitur tejmase duke ditur dëshirën e flaktë që kishim ta nisim kampionatin me një rezultat pozitiv dhe atë kundër ekipit të kryeqytetit, por gjithsesi pas lojës kemi pas kohë të mjaftushme që të reflektojme secili individualisht dhe si ekip ku kanë qenë gabimet dhë lëshimet në mënyrë që të mos përsëriten prap në ndeshjet që vijnë. Ka qenë vetëm loja e parë dhe kjo nuk ndikon aspak në motivin dhe vullnetin tonë që të futemi në lojët e ardhshme me përkushtim maksimal dhe të nxjerrim rezultat pozitiv. Loja me kampionët aktual Ballkanin është jashtëzakonisht e vështirë, por që shpresojmë dhe besojmë fuqishëm që do dalim me rezultat pozitiv. Vlen të ceket që këto dy lojët e para kundrejt dy kampionëve aktual, njëri i ligës dhe tjetri i kupës kanë qene si musafir dhe kjo normal e bënë sfidën edhe më të vështirë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


