Gjykata Themelore në Prizren, më 16 gusht 2023, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit E.A., për sulm ndaj gazetarit të Gazetës Nacionale, Vullnet Krasniqi, në protestën kundër festivalit DokuFest.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, masa e arrestit shtëpiak ndaj E.A., është caktuar në kohëzgjatje prej një muaji.
I dyshuari E.A. është arrestuar më 16 gusht 2023, për sulmin ndaj gazetarit Krasniqi.
Ndryshe, më 11 gusht 2023, ekipi i Gazetës Nacionale, gazetari Vullnet Krasniqi dhe kameramani, Arbër Latifi, janë sulmuar në protestën e organizuar kundër festivalit DokuFest në Prizren.
Ndërsa, lidhur me rastin, në po të njëjtën ditë u arrestua i dyshuari A.K dhe i njëjti u dërgua në mbajtje për 48 orë. Kurse, më 14 gusht 2023, Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit A.K.
Për këtë rast, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, të cilët kërkuan që autorët e sulmeve ndaj gazetarëve, të vihen para drejtësisë.
Ndryshe, Policia njoftoi të shtunën se është suspenduar një zyrtar policor, nën dyshimin se nuk reagoi në mënyrë profesionale me rastin e sulmit ndaj gazetarit Krasniqi.
“Pas vlerësimit dhe analizimit të të gjitha raporteve si dhe videoregjistrimeve gjatë protestës, Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, pas konsultimin dhe sugjerimin nga IPK , me qëllimi të hetimit të pavarur të këtij rasti, me vendim ka suspenduar për 72 orë një Rreshter Policor nga Stacioni Policor Prizren”, thuhej në noftim.


