Lajme

Pranimi i avokatëve kosovarë në Gjermani, ambasadori Ajeti jep informata shtesë

08/16/2023 15:29
nga:G B

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka dhënë informacione shtesë mbi pranimin e avokatëve kosovarë në Gjermani.

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka treguar edhe për ndryshimet që janë bërë në Ligjin Federal të Avokatëve.

“Me 10 gusht 2023, Ministria e Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, ka publikuar Urdhëresën e 12-të përmes së cilës ka ndryshuar urdhëresën për zbatimin e nenit 206 të Ligjit Federal të Avokatëve (Bundesrechtsanwaltsordnung, BRAO). Përmes kësaj urdhërese është krijuar për herë të parë baza ligjore për njohjen e avokatëve nga Republika e Kosovës në Gjermani, duke iu mundësuar atyre të bëhen anëtarë të Odës së Avokatëve në Gjermani dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si avokat të huaj në shtetin gjerman”.

“Me këtë ndryshim, avokatëve nga Republika e Kosovës iu njihet statusi si avokatë të huaj, të cilët mund të mbartin emërtimin e tyre profesional (“Avokat, Advokat”) dhe mund të ju ofrojnë personave fizik dhe juridik shërbime ligjore në fushën e të drejtës së shtetit (të Republikës së Kosovës) ku janë të licencuar si avokat (për shembull të këshillimit ligjor të së drejtës së aplikueshme në Kosovë ). Përmes këtij ndryshimi, avokatët nga Republika e Kosovës do të kenë të njëjtin status me avokatët tjerë të huaj në Gjermani, sikurse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët gjithashtu janë pjesë e Urdhëresës së lartcekur. Për më shumë informacione mbi veprimtarinë e avokatisë për avokatët e huaj në Gjermani mund t`i gjeni si në vijim: https://dejure.org/gesetze/BRAO (deutsch) dhe https://www.gesetze-im-internet.de/engl…/englisch_brao.pdf (english)”, shkruan ai në Facebook.

Në vegzën më poshtë e gjeni njoftimin e plotë të tij.