Gazetare e pavarur: Mihane Hoxha
Përpjekjet për të ofruar një ambient më të sigurtë për të gjithë qytetarët rezident dhe jo rezident, Policia e Kosovës, këtë vit i ka shtuar aktivitetet në mbarë Kosovën, në kuadër të fushatës tashmë tradicionale “Festo me zemër, jo me armë”.
Izet Gashi nga Llapushniku i Drenasit, i cili që 33 vite jeton në Oslo të Norvegjisë, ka rrëfyer për herë të parë për gazetën Blic incidentin e dhjetorit të vitit 2008, ku në ahengun familjar kishte mbetë i plagosur ai dhe një djalë i moshës rreth pesëmbëdhjetë vjeç (me inicialet P. K).
Pra, ngjarja kishte ndodhur në fshatin Drenoc të Malishevës, në një aheng familjar (kënagjegj), derisa krushqit kishin ardhë për të marr nusen, një anëtar i familjes nikoqire, gjatë gjuajtjeve me armë zjarri, nga pakujdesia kishte lënduar (plagosur) dy persona, njëri nga ta që ishte në pritje, pra Izet Gashi, i cili kishte pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa tjetri nga krushqit të cilët kishin ardhur për të marr nusen i cili gjithashtu kishte marre plagë serioze por pa rrezik për jetën.
“Në incidentin e dhjetorit të vitit 2008, kam qenë i plagosur keq, por dashti Zoti edhe e tejkalova mirë, jam plagosur unë, P.K dhe një vajzë e vogël në dorë, më saktësisht në njërin gisht. Kam marr dy plumba në anën e zemrës, njëri ka depërtuar rreth njëzet centimetra afër zemrës, në bazë të matjeve që kanë bërë, edhe kur ka dal plumbi vetëm katër centimetra larg boshtit kurrizor, plumbi ka kaluar përmes brinjëve, ku e ka thyer edhe një brinjë dhe plumbi vetëm është sjellë edhe ka dal jashtë. Ndërsa, plumbi tjetër më ka kap në anën e majtë sipër kraharorit. Plumbat kanë qenë dum-dum”, ka treguar Gashi.
Tutje, Izet Gashi ka treguar se shërimi i ka zgjatur me vite dhe kjo gjë kishte ndikuar të humbiste herë pas here durimin, dhe ndërlikimet shëndetësore kishin bërë që sigurimi të dërgonte aeroplanin special për ta transportuar në spitalin e Norvegjisë.
“Procesi rehabilitues më ka zgjatë përafërsisht dy vite. Ku fillimisht jam trajtuar në Kosovë, në QKUK, ku kam kaluar jashtëzakonisht mirë me mjekët. Mirëpo, shkaku që nuk më ngjitej ashti më është dashur trajtimin ta vazhdoj në Norvegji. Plumbi më kishte lënë një lloj yndyre kur ka prekur ashtin, ashti nuk u ngjitke nuk u zhvillonte, kam shkuar me proteza të metalta të jashtme për gjashtë – shtatë muaj, por shkaku që nuk kisha durim sepse gjithë jetën kam qenë tip sportist absolutisht s’kisha durim dhe iu kërkoja mjekëve në Norvegji që të më vendosnin shufra të metalta brenda por mjekët nuk pranuan”, ka rikujtuar ndër të tjerash momentet e vështira Gashi.

Pas shumë vizitave e konsultimeve mjekësore Izet Gashit i sugjerohet që trajtimin e tij ta vazhdon në Rusi ose në Ukrainë.
“Dhe, pas konsultimeve të vazhdueshme me Dr. Gjemën që është ortoped në Kosovë dhe me mjekët e Norvegjisë më kanë sugjeruar që trajtimin ta vazhdoj në Moskë të Rusisë ose në Kiev të Ukrainës, pasi injeksionet e kalciumit që e zhvillojnë ashtin më lehtë, nuk lejohen tek ne dhe në Evropë, iu jepen vetëm sportistëve. Më është dashur të shkoj tri herë në Ukrainë, në secilën herë kam qëndruar kah dhjetë ditë, ku më është dashtë të marr 15 injeksione, në çdo 36 orë me sugjerimin e mjekut norvegjez”, ka rrëfyer Gashi.
Si ndodhi rasti i plagosjeve që dasma u kthye në tragjedi?
Izet Gashi e ka përshkruar me detaje ditën kritike, ku kishte marr pjesë në atë aheng te familjarët e tij, të cilët me vite s’kishte pas mundësi t’i vizitonte shkaku që jetonte në Norvegji.
“Ngjarja ka ndodhë pikërisht te halla ime te e cila s’kisha mundësi të shkoja për 29 vite ndoshta mos më shumë. E martoj vëllai një vajzë në Pagarushë, edhe erdhi stërnipi në kënagjegjin tonë edhe më tha ‘khuu daja Izet a e din bre që 25 vjet nuk na ke shkel derën’, ia ktheva ‘që e ka bërë Zoti kysmet paskeni vade më ke pasnesër’ meqenëse ishin shumë afër me njëra – tjetrën. Edhe kam shkuar. Kam qenë në pritje kur kanë ardhë krushqit. Dhe, ata (krushqit) kanë gjuajt me armë, ka fillu me gjuajt edhe djali i stërnipit, si një lloj ‘gare’ mes veti ‘kush i ka armët më të mira’, gjuajshin me kallasha. Dhe, më dhimbset djali i stërnipit sepse ka mbajtur burg për këtë çështje, për këtë çmenduri që ka bërë gjatë dasmës/kënagjegjit. Dhe, ka qenë tmerri i Zotit, jo veç pse jam plagosur unë, por aty kishte prezent fëmijë. Pra, veprime të pakapshme”, ka treguar Gashi.
Dorasi ndëshkohet nga shteti– derisa falet nga i plagosuri Izet Gashi
Gashi ka folur edhe për dorasin, të cilin njëkohësisht e ka stërnip të tij, dhe e arsyeton në një formë për tragjedinë që kishte krijuar, pasi sipas tij gjithçka ishte pa dashje. Madje, ka bërë të ditur se sa herë që vjen në Kosovë, shkon e viziton hallën e tij sepse ata vazhdimisht e ndjejnë vetëm keq për gjithë atë që ka ndodhur.

“Pasi kam dal nga spitali, kam dhënë deklaratë në polici, iu kam sqaruar situatën tamam siç ka qenë, sepse edhe sot e mbaj mend shumë mirë atë situatë sepse është situatë e paharrueshme. Djali i stërnipit, ka qenë plotësisht i pafajshëm sepse kushdo që ka qenë në shërbim ushtarak e kupton që automati kur qetë shumë ai nxehet edhe nuk i punon ai mekanizmi që ia përsërit edhe atij iu ndal automati gjynahit edhe u kthy prej neve. Në momentin që u kthy prej neve, ai se ka pas as dorën/gishtin në atë mekanizmin që gjuan, veç kur kanë shpërthyer plumbat. Unë aty i kam marr dy plumba, një djalë rreth pesëmbëdhjetë vjeç e kapi plumbi në këmbë dhe më duket një gocë të vogël e ka kap një plumb në gisht, me sa e di unë”, ka sqaruar Gashi.
Gashi tutje ka theksuar së në fazën e gjykimeve nuk ka qenë prezent, duke iu përsëritur se i qëndronte deklaratës së dhënë në polici.
“Prej meje është i falur jo veç pse e kam stërnip por për që është i pafajshëm siç e sqarova më sipër. Mirëpo, e pranoj se pasoja ka pas në çdo aspekt, sepse unë kam pas një kompani ndërtimore në atë kohë, dhe fëmijët i kam pas jo të pjekur që me pas mundësi me menaxhuar ata kompaninë, është akoma më e vështirë kur je i vetmi në familje që punon pra je shtylla kryesore e familjes është akoma më e vështirë, sepse familjen e kthen në 360 shkallë mbrapa, sepse skenë burime tjera të mos flasim për pjesën e traumave psikologjike. Madje, unë isha në spital duke u trajtuar dhe mundohesha stërnipin (dorasin) ta ngushëlloja për ta tejkaluar situatën sa më lehtë sepse ai ishte shumë i dërrmuar shpirtërisht e psikologjikisht dhe merrja në telefon shpesh për të dhënë forcë duke i thënë unë kam shpëtuar. D.m.th. pasojat kanë qenë jo veç në shëndet por në familje e në biznes”, ka thënë Gashi.
Gashi ka përsëritur se nuk ia vlen përdorimi i armëve gjatë ahengjeve duke bërë thirrje që sa më shumë të denoncohen në polici.

“Është ndjesi e keqe kur një gëzim kthehet në hidhërim, pra kur totalisht e transformon një aheng që njerëzit janë të relaksuar, të gëzuar, duke u kënaqur e kthen në atë nivelin e një tragjedie të jashtëzakonshme për të gjithë ajo është keq, nuk është vetëm për atë që plagoset ose për dorasin por edhe për njerëzit përreth”, ka shtuar Gashi.
Gjuajtja me armë zjarri gjatë ahengjeve traditë e shqiptarëve apo një ego për të treguar forcën?
Izet Gashi, tashmë në Oslo të Norvegjisë menaxhon një kompani ndërtimore, ka konsideruar se gjuajtja me armë zjarri gjatë festimeve nuk është traditë vetëm tek ne shqiptarët, por edhe te vendet tjera në botë.
“Pasi unë kam një moshë dhe kam pas rastin të udhëtoj në shumë vende të botës p.sh. një traditë e tillë është edhe në Amerikë, më saktësisht në Teksas. Po, prapë se prapë tek ne është më e shfaqur sepse ne jemi një populli i shtypur, ne jemi një popull që gjithmonë kemi qenë nën komandën (ish Jugosllavisë) e dikujt tjetër dhe për neve një pushkë ose një armë ka qenë një krenari. Mendoj që nuk e bëjnë as për trimëri, as për tjetër gjë vetëm me tregu që kemi një armë dhe ajo është totalisht një çmenduri e panevojshme”, ka theksuar Gashi.
Tutje ka sugjeruar veprime për Policinë e Kosovës, dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, përmes së cilave mund të eliminohet dukuria e gjuajtës me armë.
“E para, qytetarët duhet që çdo person që e shohin ose dëgjojnë se posedon armë duhet ta denoncojë. E dyta, policia duhet me marr aksione të njëpasnjëshme për këto gjëra, sepse i ka kapacitetet mjaftueshëm, krahasuar më herët ka qenë e vështirë kur armët i kanë futur nëpër sana e i kanë groposur. Kurse, sot, kudo që i fshehin armët qoftë edhe nëse i fusni 200 metra distancë, policia, i gjejnë armët. Edhe duhet mi kap mi grumbullu, nuk është ajo që me vullnetarizëm mi dorëzu sepse kjo te shqiptarët s’ka pas sukses . Kjo është dëshmuar edhe përmes atij ligjit për amnisti kush i dorëzon armët. Nuk i dorëzon askush, se problemi është ai e ka ble armën me lekë. Andaj, i bëj thirrje MPB-së që le ta bën një test, ‘të gjithë ata që dorëzojnë armët i kanë kah 700 euro shpërblim’ (se ata p.sh. në Kosovë kallashnikovin e blejnë me 200 euro) dhe këqyr sa kallashi dorëzohet, s’ka me pas as buxhet sa arma i kthehet”, ka përfunduar Gashi.
Policia e Kosovës me aksione, për të mos u kthyer gëzimet në tragjedi
Pasi jemi një sezonin e dasmave dhe përdorimi i armëve të zjarrit nga qytetarët është më i theksuar, andaj kjo dukuri mjaft shqetësuese ka mobilizuar Policinë e Kosovës dhe institucionet gjegjëse.
Në një prononcim për gazetën Blic, Zyra për Media e Policisë së Kosovës ka theksuar se Policia e Kosovës, është e përkushtuar të parandalojë aktivitetet e kundërligjshme përmes së cilave rrezikohet siguria e përgjithshme.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka ndërmarr veprime konkrete për parandalim të aktiviteteve të kundërligjshme, qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme, përfshirë edhe rrezikun nga plumbat nga ajri (plumbat çorr)”, thuhet në përgjigjen e policisë.
Duke shtuar se në aspektin e parandalimit përveç policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo sensibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi.
Ndërsa, për sociologun Albert Mecini, përdorimi i armëve të zjarrit gjatë festave të ndryshme përveç që është i panevojshëm është rrezikë për jetën e qytetarëve.
“Dukuria e gjuajtjes me armë nëpër ahengje dhe festa të ndryshme, fatkeqësisht, është ende prezent në shoqërinë tonë, dhe përbën një problem serioz për sigurinë dhe jetët e qytetarëve. Kjo traditë aspak e mirë, nuk ka vend në shoqëri. Jeta e qytetarëve dhe siguria e tyre është mbi të gjitha. Pavarësisht thirrjeve dhe fushatave nga Policia e Kosovës për mospërdorim të armëve, prapë se prapë kjo gjë vazhdon të përbëjë kërcënim serioz dhe njëkohësisht shqetësim shoqëror në këtë vend”, ka thënë Mecini.
Madje, Mecini, dukurin e gjuajtjes me armë të zjarrit gjatë festave, me theks të veçantë dasmave e sheh si një sfidë për institucionet dhe konsideron se vetëdijesimi shoqëror arrihet në bashkëpunim kolektiv.

“Sa i përket anës institucionale-shtetërore, janë ndërmarrë fushata, për sensibilizim qytetar kundër kësaj dukurie kërcënuese për jetën e qytetarëve. Po ashtu bëhen edhe arrestimeve të personave që kanë gjuajtur me armë. Ndërsa në aspektin shoqëror të vetëdijesimit qytetar, mbetët një punë dhe ndërmarrje pothuajse kolektive, për emancipim dhe vetëdijesim shoqëror për ta stopuar njëherë e përgjithmonë këtë dukuri negative, dhe po aq të rrezikshme për jetët e njerëzve”, ka shtuar sociologu Mecini.
(Mos)zbatimi i ligjit për konfiskimin e armëve
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka sqaruar se konfiskimi i armëve në Republikën e Kosovës është e përcaktuar qartazi sa i përket normatives dhe Kodi penal por edhe kodi i procedurës penale e jep rrugën se si do te duhet që institucionet e Kosovës të marrin veprimet operacionale hetuese për të garantuar më lehet sigurinë publike të Kosovës .
“Në të kaluarën MPB-ja ka mbajtur fushata të ndryshme për të nxitur që qytetaret në formën vullnetare të marrin veprime adekuate që armët e tyre ti dorëzojnë apo legalizojnë në një proces administrative”, ka thënë Shala.
Tutje, Shala, ka sugjeruar që Policia e Kosovës të marrin veprime të kontrollit në territore ku ka frekuentim më të lart të qytetarëve, por edhe informacione të ndryshme se ka potencial për të nxitur veprime kriminale të individëve dhe grupeve kriminale.
“Trafikimi i armëve në Republikën e Kosovës dhe lufta ndaj grupeve të organizuar është dëshmuar që ka patur rezultat të caktuara duke parandaluar në masën më të madhe që në tregun e Kosovës mos të kemi armë të reja të futura, por që këto që janë, sipas statistikave zyrtare rreth 250,000 copa që kanë mbetur nga luftërat e viteve 90-ta dhe kjo po jepë një shpresë që duhet marrim veprime të mëtejshme në parandalimin e funksionalitetit te këtyre grupeve në territorin e Kosovës”, ka shtuar Shala.

Ndërsa, ka kritikuar mënyrën sesi po bëhet shpërndarja e policëve në territore të caktuara në Kosovë, duke e theksuar rritjen e numrit të vrasjeve kohëve të fundit në Kosovë.
“Dukuria e vrasjeve në Kosovës është shqetësuese dhe mund të themi që siguria publike në Kosovës është e cenueshme dhe e lëndueshme në frymën asaj që mekanizmi politik ka dështuar në marrjen e veprime adekuate për të garantuar që mekanizmi i sigurisë të Kosovës (Policia e Kosovës) mos të angazhohet vetëm në veri me mbi 80% të fuqisë së saj por që të kemi një ndarje proporcionale sipas kërkesave dhe lokaliteteve ku mund të kemi prishje të rendit dhe sigurisë publike”, ka përfunduar Shala.
(Mos)veprimi zingjiror institucional: Policia e Kosovës, Prokuroria dhe Gjykata
Nga denoncimet e rasteve e deri të ndëshkimet e kryerësve të veprave penale (në këtë rast gjuajtje me armë zjarri) avokati Arbër Jashari, ka konsideruar se përgjegjësitë e secilit prej këtyre organeve janë të ndara, por kjo nuk do të thotë që puna e tyre nuk është e ndërvarur.
“Policia duhet të jetë me vigjilente, dhe t’i trajtoj këto raste në mënyrë serioze. Sekuestrimi i armëve pa leje, është njeri prej veprimeve kryesore, që do të kontribuonte uljen e kësaj dukurie. Natyrisht të gjithë ata që gjuajnë me armë duhet të identifikohen dhe të ndiqen penalisht. Këtë duhet ta bëjë policia në bashkëpunim me prokurorinë. Ndërsa, gjykata duhet ta rrisin politikën ndëshkimore, duke shqiptuar dënime të merituara”, ka thënë Jashari për gazetën Blic.

Në anën tjetër, Liridonë Kozmaqi – Hajdaraj nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, për gazetën Blic, ka theksuar se rastet që kanë të bëjnë me vepra penale që ndërlidhen me gjuajte armësh, trajtohen nga prokurorët e Prokurorive Themelore konformë legjislacionit në fuqi.
“Pas grumbullimit të të gjitha provave, gjegjësisht pas përfundimit të hetimeve prokurori i çështjes vlerëson se a ka prova të mjaftueshme, të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë, për kryerjen e veprës penale apo jo dhe pastaj do të vendosë për ngritje ose jo të aktakuzës dhe për cilësimin e veprave penale”, ka sqaruar Kozmaqi – Hajdaraj.
Tutje, Kozmaqi – Hajdaraj, ka bërë të ditur se për ndalimin apo kërkesën për caktim të paraburgimit, vendoset varësisht nga rasti në rast, duke u vlerësuar të gjitha rrethanat nga prokurori i shtetit.
Ndërsa, Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet nëse rastet e gjuajtjeve me armë zjarri i trajton me prioritet dhe dënimet që shqiptohen në rast të lëndimeve/plagosjeve dhe vrasjeve.
E në anën tjetër, Misioni i OSCE-së në Kosovë, i cili është partneri kryesor i Policisë së Kosovës, në prononcimin e tyre kanë bërë të ditur që nuk janë të përfshirë direkt në fushatën “Festo me zemër, jo me armë”.
“Puna jonë me institucionet e sigurisë publike nuk përfshin mbështetjen direkte në kuadër të fushatës në fjalë. Ne përkrahim Policinë e Kosovës dhe agjencitë tjera ligjzbatuese në avancimin e efektshmërisë së tyre të përgjithshme në parandalim dhe luftim të krimit, pajtueshmëri me standardet e të drejtave të njeriut, si dhe ruajtje të një ambienti të sigurt e të rregullt përmes aktiviteteve të shënjestruara drejt zhvillimit të kapaciteteve të pjesëtarëve të tyre”, thuhet në përgjigjen e OSCE-së për Blicin.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mbështetëse e fushatës “Festo me zemër, jo me armë”
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, në një prononcim për gazetën Blic ka treguar që përmes strukturave të tyre duke përfshirë anëtarët e hoteleve, restoranteve, kafiterive etj., i kanë diskutuar veprimet sensibilizuese për të ndikuar në zvogëlimin e përdorimit të armëve gjatë ahengjeve të ndryshme (dhe jo vetëm).
“Kemi bërë apel që dasmorët mos me përdorë armët, përmes njoftimeve në hyrje të sallave iu tërhiqet vërejtja se nuk lejohet përdorimi i armëve. Tek fundja, a po shkon me u kënaq, a po shkon me e dëmtua dikën?! Andaj, ne si odë kërkojmë që masat me qenë më të ashpra jo veç me vërejtje sepse jeta e njeriut është më e vlefshme, prishja e ahengut nuk tolerohen”, ka thënë Sogojeva.

Ndërkaq, Sogojeva, ka potencuar që janë të gatshëm për të bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, për të mbështetur fushatën e tyre, për të ndikuar në zhdukjen e dukurisë së gjuajtjes me armë zjarri, sepse kjo dukuri po ndikon në shtimin e rasteve të cilat po lëjnë pasoja si në njerëz po ashtu edhe në dëme tjera.
Të dhënat e siguruara nga Policia e Kosovës, sa i përket konfiskimit të armëve dhe municioneve ndër vite është tejet shqetësuese për sigurinë në vend.
“Policia e Kosovës për vite me radhë realizon projekte, fushata sensibilizuese dhe plane operacionale që ndërlidhen me parandalimin dhe konfiskimin e armeve ilegale. Ndër vite Policia e Kosovës konfiskon rreth 1200-1500 armë te ndryshme ilegale dhe me rreth 30-40 mijë municion të kalibrave të ndryshëm”, kanë treguar nga Zyra për Media e policisë.
Gjithashtu, referuar të dhënave të policisë për vitin 2022, numri i përgjithshëm i armëve të konfiskuara është 1,473, kurse, i municionit të konfiskuar është 29,903.
Ndërsa, për periudhën Janar – Korrik 2023:
Numri i armëve të konfiskuara – 636;
Numri i municionit të konfiskuara – 9531.


